Raphel Warnock u rrit në Savannah si pjesë e projektit të strehimit publik “Kayton Homes”. Ishte i dyti prej dymbëdhjetë fëmijëve të familjes. Nëna e tij si tinejxhere kishte punuar në mbledhje të pambukut dhe duhanit. Babai ishte predikues, teksa kishte punuar në tërheqjen e makinave të vjetra deri në hekurishte lokale
Rrënjët e pastorit Raphael Warnock nuk jepnin shumë shpresë për një të ardhme që do ta çonte deri në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai u rrit në Savannah, si pjesë e projektit të strehimit publik “Kayton Homes”. Ishte i dyti prej dymbëdhjetë fëmijëve të familjes. Nëna e tij si tinejxhere kishte punuar në mbledhje të pambukut dhe të duhanit. Babai ishte predikues, teksa kishte punuar në tërheqjen e makinave të vjetra deri në hekurishte lokale.
Zgjimi para diellit
“Babai im më zgjonte përditë me të zbardhur dita”, do të tregonte Warnock gjatë një adresimi para një turme të vogël njerëzish, dy ditë para zgjedhjes senator i demokratëve në shtetin e Georgias. “Ai thoshte: ‘ Djalosh, nuk mund të flesh deri vonë në shtëpinë time. Zgjohu, vishu, mbathi këpucët. Bëhu gati”.
I nxitur nga prindërit që të punonte fort, Warnock u largua nga Savannah dhe u bë anëtari i parë i familjes që do të diplomonte në kolegj. U ndihmua prej granteve dhe kredive studentore me norma të ulëta interesi. Ai mori titullin e doktorit, duke arritur të zgjidhej edhe pastor i një kishe në Atlanta, ku kishte predikuar edhe Martin Luther King Jr.
Warnock, tani 51 vjeç, do të shkojë në Uashington si senatori i parë me ngjyrë i zgjedhur nga shteti i Georgias, shteti jugor që kishte telashe të përballej me historinë e dhimbshme të skllavërisë, ndarjes dhe padrejtësisë racore.
“Vetëm në Amerikë, tregimi im është edhe më i mundshëm”, deklaroi Warnock para një turme përkrahësish të dielën.
Vit sfidash
Warnock ia doli ta mposhte senatoren republikane, Kelly Loeffler, sipërmarrëse e kamur që shpenzoi 20 milionë dollarë të saj për të provuar të mbante karrigen e saj në Senat, ku kishte shkuar një vit më parë si e emëruar e guvernatorit republikan të Georgias.
Zgjedhja e Warnockut pasoi një vit të përkeqësuar jo vetëm prej pandemisë që ua mori jetën mijëra afro-amerikanëve dhe i la në telashe shumë syresh që nuk kishin para as për qira, por u shënua edhe me vrasje të amerikanëve me ngjyrë, përfshirë George Floydin në duar të policëve në Minneapolis dhe Ahmaud Arberyn e Rayshard Brooksin në Georgia.
Warnocku nuk është kandidati i parë me ngjyrë që u zgjodh në post shtetëror në Georgia, ku votuesit zgjodhën burra me ngjyrë për të shërbyer si kryeprokurorë, komisarë të punës dhe gjykatës të Gjykatës Supreme në vitet nëntëdhjetë. Por zgjedhja senator do të jetë një detyrë edhe më e lartë për një afro-amerikan të zgjedhur nga ky shtet.
Thyerja e paragjykimeve
“Një pengesë është hequr qafe, një mur realisht është rrëzuar dhe shkatërruar”, deklaroi Michael Thurmond, shef ekzekutiv i zgjedhur në Dekalb County në metronë e Atlantas. “Historikisht, nuk kishte rëndësi sa i kualifikuar ishe, sepse ju ndalohej shkaku i ngjyrës. Ishin zyra të rezervuara për burrat e bardhë”.
Demokrati afro-amerikan Thurmond shërbeu së pari si komisar i të drejtave të punëtorëve dhe bëri fushatë për zgjedhjet për senator më 2010. Ai ka thënë se fitorja e Warnockut mbi të gjitha është meritë e votuesve të Georgias, të cilët i thyen paragjykimet dhe pritjet.
“Votuesit afro-amerikanë bënë diçka që analistët e njëanshëm politikë nuk besonin se do ta bënin, që është prapakthim për zgjedhje balotazhi”, ka thënë Thurmond, duke theksuar gjithashtu se shumë të bardhë e përkrahën Warnockun – megjithëse republikanët shpenzuan shuma të larta për ta portretizuar si tepër radikal për shtetin tradicionalisht konservativ.
“Fakti se të bardhët nuk u frikësuan të votonin për këtë burrë me ngjyrë, ishte goxha mahnitës”.
Warnock ka treguar si ishte arrestuar një herë në kryeqytetin amerikan. Tani do të takohet përsëri me policë kur të shkojë në Capitol për të nisur mandatin e senatorit. Shpreson se kësaj here nuk do ta ndëshkojnë. “Mund të më ndihmojnë të gjejë zyrën time të re”. \ AP