Botë

Polarizimi po e rrënon Amerikën

Skena politike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po evropianizohet heshtazi dhe rrezikshëm, në mënyrat që amerikanët ende duhet që t’i kuptojnë

Gjatë disa dekadave të fundit, ekspertët u kanë dhënë jehonë luhatjeve në skenën politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe polarizimit të pashembullt. Nisur prej procesit të shkarkimit të Bill Clintonit deri te lufta globale ndaj terrorizmit dhe “Obamacares” e në zotimin për “ndërtim muresh”, faktikisht të gjitha çështjet e spikatura politike thuhet se kanë ndarë shoqërinë amerikane në dy kampe papajtueshmërisht të kundërta.

Megjithëkëtë, sipas një analize të thuktë të revistës amerikane “Foreign Policy”, shtrirja e polarizimit nënkupton se hendeku i krijuar në politikat amerikane nuk do të mund të përthekohet përbrenda asaj që ofron centristi i moderuar Joe Biden, që i fitoi zgjedhjet presidenciale të 2020-s.

“Thënë sinqerisht, fitorja e Bidenit pa dyshim është rezultat i ndjenjave anti-Trump. Por kjo e vë në pikëpyetje faktin se si Bideni fillimisht ka mbizotëruar kundruall atyre kandidatëve që janë akoma më të majtë, si senatori Bernie Sanders”, shkruan gazeta.

Për ta shpjeguar fitoren e Bidenit dhe për të zbërthyer disa prej pasojave të mundshme, gazeta rekomandon se është domosdoshmëri që të dallohen dy partitë kryesore politike në SHBA. Duke e bërë këtë, bëhet e qartë se vetë polarizimi politik nuk është një përshkrim adekuat i realitetit politik amerikan. Kjo, sipas “Foreign Policy”, është arsyeja pse, përveç konfliktit të thellë midis partive, ekziston gjithashtu një konflikt i theksueshëm përbrenda akëcilës. Dhe ai e përcaktoi theksueshëm konfliktin e brendshëm që parashihet të luajë rol vendimtar në përcaktimin e rezultateve të ardhshme politike.

Analogjia me Evropën

Image

Identifikimi i këtij rivaliteti brendapartiak krijon mundësi që politikat amerikane të analizohen në aspektin e një beteje me katër korsi, që u ngjason më tepër sistemeve shumëpartiake të Evropës sesa dinamikës së njohur dypartiake të vendit. Ky transformim, shkruan gazeta, jodomosdoshmërisht e ndjell vdekjen e demokracisë amerikane, por nënkupton se duhet nisur së menduari ndryshe.

Zgjerimi i kësaj analogjie me sistemet shumëpartiake evropiane mund t’u ndihmojë amerikanëve që ta kuptojnë më mirë bllokadën e tyre. Qepja pas mitit të ekspansionizmit amerikan i mjegullon mësimet e rëndësishme që mund të mësohen nga bota e moçme.

Për ata që nuk e dinë, fraksioni progresiv i Partisë Demokrate e modelon veten ekskluzivisht sipas traditës kontinentale evropiane të demokracisë sociale. Shumica e vendeve evropiane e marrin si të mirëqenë sistemin e tyre të përkujdesjes universale shëndetësore, teksa vendet veriore të Evropës tashmë kanë zbatuar regjime të reja ambientale nën udhëheqjen socialdemokrate. Sandersi mund të mos kishte shkuar aq larg kur kishte sugjeruar se SHBA-ja të marrë shembull nga Suedia apo Danimarka.

“Foreign Policy” shkruan më pastaj se krahu më i moderuar i demokratëve ka një numër befasisht të madh të tipareve të traditës evropiane të demokristianizmit: duke nisur nga vetëparaqitja e tyre si centristë që e mbushin shtegun e ndërmjetëm midis së majtës dhe së djathtës ekstreme e deri te synimi për ta ringjallur harmoninë sociale nëpërmjet kompromiseve politike. “Gjë kjo e theksuar qartë në premtimin e fushatës së Bidenit për ringjalljen e shpirtit të Amerikës”.

Në këtë aspekt, shkruan gazeta, vlen të përmendet se Bideni do të jetë vetëm i dyti president katolik i Shteteve të Bashkuara. Derisa besimi i tij nuk i përcakton bindjet e tij politike, ai ka siguruar se ajo funksionon si një burim i rëndësishëm frymëzimi për të. Bideni e vë theksin retorik tek nocionet si dinjiteti njerëzor, qytetarizmi shoqëror dhe konceptimi multilateral për sa u përket çështjeve ndërkombëtar. Është kjo, sipas gazetës, një qasje e ngjashme me atë të kancelares aktuale gjermane, Angela Merkel, nga radhët e Unionit Demokristian.

“Në anën tjetër të qendrës politike amerikane janë grumbull mbetjesh tradicionale republikane, shumica e të cilave kanë ngecur të përmbytura gjatë epokës Trump, por që mund tani të dalin në sipërfaqe bashkë me figurat ambicioze politike, si Mitt Romney, John Kasich dhe Larry Hogan”, ka shkruar revista në analizën e saj.

Duke qenë shoqërisht më konservatore dhe më e hapur ndaj tregut se demokratët centristë – të cilët rëndom e përmendin presidentin Ronald Reagan si frymëzim – kjo rrymë ideologjike mund të krahasohet me bllokun e djathtist të lideralizmit, që shpërfaqej tradicionalisht nga partitë liberale evropiane apo nga konservatorët britanikë nën ish-kryeministren Margaret Thatcher.

Trumpizmi

Image

Në fund, në të djathtën ekstreme të spektrit bashkëkohor politik të SHBA-së, ekziston një lloj populizmi autoritar, i cili deri para pak kohësh konsiderohej goxha i huaj për kulturën politike të vendit: Trumpizmi.

“Presidenti amerikan Donald Trump qartazi kapardiset me nacionalizmin e tij të sertë dhe shpërfilljen strategjike të procedurave demokratike. Por deri më tani ai nuk ia ka dalë që haptazi ta glorifikojë dhunën dhe ende u bishtnon udhëve demokratike – si në rastin e pretendimit të rremë se i ka fituar zgjedhjet e 2020-s – për të kërkuar legjitimim: një fashist real as që do të provonte të pretendonte se qeverisja e tij është betonuar me mjete demokratike”, ka shkruar “Foreign Policy”.

Në këtë shteg, Trumpi mund të krahasohet më saktësisht me liderët evropianë si Silvio Berluconi i Italisë apo Victor Orbani i Hungarisë, të cilët janë populistë autoritarë.

Mësimi që amerikanët bashkëkohorë mund të nxjerrin nga historia e politikave partiake të Evropës kontinentale është se në situatat e pluralizmit të polarizuar – tendosja e thelluar mund ta minojë të gjithë kornizën institucionale të vendit. Fakti se Trumpi ka refuzuar deri më tani që ta pranojë humbjen e tij zgjedhore nuk duhet të merret me aq lehtësi, shkruan gazeta.

Krahasimi me Evropën mund t’i thërrasë spekulimit se SHBA-ja ballafaqohet me një përzgjedhje radikale midis një thyerjeje totale të sistemit politik dhe një rishikimi radikal të rendit të nënshtresuar sociekonomik të krahasueshëm me revolucionin mirëqenësor të pasluftës.

Megjithëkëtë, skenari më i mundshëm, sipas “Foreigh Policy”, mbetet diçka e ngjashme me stagnimin dhe thyerjen e pësuar në Evropë, gjatë messhekullit. Hëpërhë, SHBA-ja ka të ngjarë që të qeveriset nga një formë e centrizmit të definuar kryekëput nga kundërshtimi ndaj të majtës ekstreme dhe të djathtës ekstreme – që nënkupton shkelmimin e qëllimshëm të kanaqes poshtë rrugës dhe ruajtjes së stabilitetit të maskuar derisa pakënaqësia të mos vazhdojë të vlojë nën sipërfaqe. Për të vluar sipër, në fund të fundit.