Botë

“Fillimi i fundit”: Evropa nis vaksinimin masiv

Madrid/Romë, 27 dhjetor (Reuters) – Evropa ka nisur fushatën masive të vaksinimit të dielën me pensionistët dhe personelin mjekësor në rend të parë për t’ia prerë këmbët pandemisë së koronavirusit, që deri tani ka marrë jetën e më shumë se 1.7 milion personave në mbarë botën.

“Falë Zotit”, ka deklaruar Araceli Hidalgo, 96-vjeçarja që është bërë personi i parë i vaksinuar në Spanjë. Vaksinimi ka nisur në shtëpinë e kujdesit shëndetësor për pleqtë në Guadalajara në afërsi të kryeqytetit Madrid. “Le të shohim nëse mund ta heqim qafe këtë virus”.

“Moment historik”

Në Itali, vendi i parë që do të regjistronte shifra rekorde të infektimeve në Evropë, infermierja 29-vjeçare, Claudia Alvernini ishte e para në mesin e tre personave të stafit që janë vaksinuar derisa radha ishte e gjatë për të marrë vaksinën e zhvilluar nga “Pfizer” dhe “BioNTech”.

“Është fillimi i fundit ... ishte moment mahnitës, historik”, ka thënë ajo në spitali Spallanzani në Romë.

Evropa, ku jetojnë 450 milionë banorë të botës, po mundohet të mbajë hapin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë, që tashmë kanë nisur vaksinimin duke përdorur vaksinën e partnerëve “Pfizer” dhe “BioNTech”.

Bashkimi Evropian do t’i marrë 12.5 milionë doza të vaksinës deri në fund të vitit, të mjaftueshme për t’i vaksinuar 6.25 milionë banorë me regjimin me nga dy doza. Kompanitë po kanë telashe për t’i përmbushur kërkesat botërore dhe për t’i prodhuar vitin e ardhshëm 1.3 miliardë doza.

Evropa ka siguruar kontrata me një mori prodhuesish të ilaçeve, pos “Pfizerit” dhe “Modernas” e “AstraZenecas”, për më shumë se dy miliardë doza vaksinash dhe synon që të sigurojë vaksina për të gjithë qytetarët e rritur vitin e ardhshëm.

Hezitim për vaksinim

Përderisa Evropa ka njërin prej sistemeve më të mira shëndetësore në botë, përmasat e nevojshme tregojnë se do të përbëjnë sfidë edhe për vendet evropiane, të cilat tashmë kanë nisur t’i ftojnë mjekët dhe infermierët në pension që të mobilizohen për ta përshpejtuar procesin e vaksinimit.

Me anketimet që kanë treguar se ka hezitim të lartë për vaksinim në shtete si Franca e Polonia, liderët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian po e promovojnë vaksinimin si mundësi për t’iu kthyer vitin e ardhshëm jetës normale.

“Kemi një armë të re kundër virusit: vaksinën. Edhe njëherë duhet të ngrihemi vendosmërisht”, ka shkruar presidenti francez, Emmanuel Macron, në llogarinë e tij në virtuale. Ai ka dalë pozitiv për koronavirus gjatë muajit dhe ka dalë nga karantina vetëm në natën e Kërshëndellave.

Pasi qeveritë evropiane u kritikuan për dështimin për të punuar bashkërisht për t’iu kundërvënë përhapjes së virusit në fillim të vitit, kësaj here synohet që të ketë qasje të barabartë në vaksinë në mbarë rajonin.

Përsëri të ndarë

Por edhe tani, vendet si Hungaria kanë ndarë mendjen të shkojnë një hap më larg, ndaras, duke nisur të shtunën administrimin zyrtar të vaksinave. Janë vaksinuar mjekët dhe anëtarët e personelit mjekësor në spitalet e Budapestit.

Edhe Sllovakia nuk e ka pritur të dielën, duke nisur të shtunën injektimin e personelit, përderisa edhe në një spital gjerman u vaksinuan një ditë më parë disa pjesëtarë të personelit.

“Nuk duam të humbin një ditë duke e mbajtur vaksinën nga injektimi i saj në jetë njerëzore”, ka deklaruar Karsten Fischer, nga personeli i autoritetit të menaxhimit të pandemisë në distriktin Harz në shtetin gjerman, Saksoni-Anhalt, ka raportuar transmetuesi lokal MDR.

Shpërndarja e vaksinës përbën sfidë të vështirë për shkak se vaksinat përdorin teknologji të re mRNA dhe duhet të ruhen në temperatura jashtëzakonisht të ulëta prej minus 70 shkallësh Celsius.

Në Gjermani, shumë qendra të vaksinimit në Bavarinë Veriore hoqën dorë përkohësisht prej vaksinimit për shkak se të paqartësive të ngritura nëse është ruajtur zinxhiri i ftohjes.

“Kur lexoni udhëzuesit për temperaturat, që thonë se duhet të ruhen në kuti të freskëta, ngrihen në dyshime për përmbushjen e kërkesave nga zinxhiri i ftohjes”, kanë bërë të ditur në një reagim të përbashkët të qendrave të vaksinimit në Coburg, Lichtenfels, Kronach, Kulmbach, Hof, Bayreuth dhe Vunsiedel.

Varianti i ri

Vaksinat e “Pfizerit” që po përdoren në Evropë ishin sjellë nga fabrika në Puurs në Belgjikë në kontejnerë të dizajnuar specialë të mbushur me akull. Ato mund të ruhen deri në gjashtë muaj në temperatura të acarta, ose pesë ditë në temperatura 2 deri në 8 shkallë në frigoriferë që përdoren zakonisht nga spitalet.

Në spitalin “Santa Maria” në kryeqytetin portugez, Lisbonë, Pedro Pires ka pritur për të marrë vaksinën bashkë me infermieret e tjera pas ndërrimit të natës prej dhjetë orësh punë. “Ishte punë e lodhshme”, ka deklaruar ai për Reuters.

Branka Aniçiq, banore 81-vjeçare e shtëpisë së kujdesit në Zagreb, është bërë personi i parë i vaksinuar në Kroaci. “Jam e lumtur që tani do të mund t’i takoj përsëri nipat e mbesat e mia”, ka thënë ajo.

Vaksinimi ka nisur edhe në Norvegji, që nuk është shtet anëtar i bllokut evropian, por nuk është ndarë nga plani i BE-së për vaksinimin.

“Po ndihem si një figurë historike.... pothuajse si njeriu i parë në Hënë”, ka deklaruar banori i shtëpisë së pleqve, Svein Andersen, 67 vjeç, derisa ka marrë dozën e parë të vaksinën në kryeqytetin Oslo.

Disa vende tjera evropiane jashtë BE-së, si Britania, Zvicra dhe Serbia, tashmë kanë nisur vaksinimin e qytetarëve të tyre me vaksinën e “Pfizerit”.

“Ne e dijmë se pandemia nuk do të zhduket sot, por vaksinimi është fillimi i fitores kundrejt pandemisë, vaksina është ‘ndryshues i lojës’”, ka deklaruar kancelari austriak, Sebastian Kurz.

Gjatë javës së kaluar, rastet e variantit të ri të koronavirusit në Britaninë e Madhe janë detektuar në Australi, Hong-Kong dhe në disa vende evropiane, kryesisht në Francë e Suedi. Deri tani, shkencëtarët thonë se nuk ka dëshmi se vaksinat e zhvilluara do të jenë më pak efikase kundër tij.

bo

Në Spanjë, dozat janë dërguar nëpërmjet rrugëve ajrore në territoret ishullore dhe në enklavat në Afrikën Veriore, Ceuta dhe Melilla.

“Sot është dita e parë e numrit së prapthi për t’iu kthyer jetës tonë përsëri”, ka deklaruar Vassilis Kikilias, ministër i Shëndetësisë i Greqisë, ku vaksinimi ka nisur me ceremoni më zyrtare. Presidenti, kryeministri, komandanti i shtabit të ushtrisë dhe një prift kanë marrë vaksinat të dielën për t’i inkurajuar të gjithë grekët të vaksinohen.

“Jemi në luftë, por arma jonë ka arritur dhe është ndodhet në këto pako të vogla”, ka deklaruar shefi i task-forcës anti-virus të Bullgarisë, gjenerali Ventsislav Mutafchiiski, pasi është vaksinuar në Sofje.