Botë

Bie qeveria e Izraelit, zgjedhjet e reja në mars

Foto: Reuters

Në Izrael do të mbahen zgjedhjet e katërta brenda dy vitesh, pasi qeveria e unitetit e udhëhequr nga kryeministri, Benjamin Netanyahu, nuk arriti të përmbushë një afat të buxhetit.

Parlamenti i Izraelit u shpërbë automatikisht më 23 dhjetor. Votuesit do të shkojnë në qendrat e votimit në mars.

Netanyahu, ndaj të cilit po zhvillohet një gjyq për korrupsion, dhe rivali i tij Benny Gantz, fajësuan njëri-tjetrin për rënien e qeverisë.

Pas tri palë zgjedhjeve që nga prilli i vitit 2019, partia Likud e krahut të djathtë që e udhëheq Netanyahu dhe ajo e qendrës, Blu dhe Bardhë e Gantz, themeluan një qeveri uniteti në muajin maj për t'iu përgjigjur krizës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Sipas marrëveshjes, Gantz, i cili është ministër i Mbrojtjes, do të merrte postin e kryeministrit nga Netanyahu në gjysmën e mandatit katërvjeçar, në nëntor të vitit 2021. Kritikët thonë se Netanyahu nuk e kishte ndërmend të zbatonte deri në fund marrëveshjen.

Koalicioni ka qenë jofunksional që nga fillimi, i nxitur nga mosbesimi, rivalitetet personale dhe ndryshimet e thella që vetëm u intensifikuan me kalimin e kohës.

Shkaku për rënien e qeverisë ishte pika e marrëveshjes së koalicionit që përcaktonte se qeveria duhej të miratonte një buxhet dy-vjeçar për 2020 dhe 2021. Netanyahu, megjithatë, hoqi dorë nga kjo, duke bërë presion që buxheti të miratohej vetëm për vitin aktual.

Lideri me shërbimin më të gjatë të Izraelit është përballur me protesta kundër udhëheqjes së tij dhe trajtimit të pandemisë.

Gantz humbi mbështetjen te elektorati në fillim të këtij viti, kur ai hoqi dorë nga një premtim i fushatës për të mos ndarë kurrë pushtetin me Netanyahun. \ Rel