Botë

Fauci dhe ekspertët tjerë mjekësorë në SHBA marrin vaksinën e Modernas

Top-eksperti i SHBA-së për sëmundje infektive, Anthony Fauci dhe ekspertët tjerë shëndetësorë amerikanë kanë pranuar sot, para kamerave, dozën e parë të vaksinës anti-Covid të Modernas.

Fauci, drejtor i Institutit Nacional për Alergji dhe Sëmundje Infektive, ka marrë vaksinën rreth orës 10:00 të mëngjesit me kohën lokale (16:00 kohën tonë), në Qendrën Klinike Nacionale në Bethesda në Maryland.

Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Alex Azar, drejtori i NIH, Francis Collins, drejtoresha e zyrës së hulumtimeve te NIH, Colleen A. McGowan dhe gjashtë punonjës tjerë të kujdesit shëndetësorë nga klinika po ashtu janë vaksinuar.

“Marrja e vaksinës në sy të publikut është simbol për pjesën tjetër të shtetit. Ndjehem shumë optimist për sigurinë dhe efikasitetin e kësaj vaksine dhe dua të inkurajojë të gjithë që kanë mundësi të vaksinohen ta bëjnë këtë, për ta mbrojtur vendit dhe për t’i dhënë fund kësaj pandemie”, ka thënë Fauci, raporton “NBC News”.

Moderna është vaksina e dytë anti-Covid e aprovuar në SHBA. Më herët është aprovuar vaksina e Pfizer/BioNTech.