Presidenti amerikan, Donald Trump, është ende i përfshirë në sfidat ligjore lidhur me zgjedhjet e 2020-s, ka thënë të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, e pyetur lidhur me përgjigjen e republikanit rreth votës së Kolegjit Elektoral.
Kolegji i Elektorëve amerikanë ka konfirmuar të hënën demokratin Joe Biden për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e përmbyllur procesin zgjedhor të 3 nëntorit.
Republikani Trump ka refuzuar që ta pranojë zgjedhjen e Bidenit, i cili do të inaugurohet president më 20 janar. E ceremonia e inaugurimit të tij është paralajmëruar gjatë së martës se mund të mbahet në mënyrë virtuale, si pasojë e pandemisë së COVID-19.
“Ai është ende duke vazhduar me proceset gjyqësore. Votimi i djeshëm ishte një hap drejt procesit kushtetutës, andaj do t’ia lë këtë punë atij”, ka thënë McEnany, duke iu referuar presidentit Trump.
Konfirmimi i fitores së Bidenit nga Kolegji Elektoral ka nxitur liderë të shumtë botërorë dhe politikanë amerikanë që ta urojnë demokratin.
Lideri i shumicës në Senat, republikani Mitch McConnell, e ka uruar të martën presidentin e zgjedhur dhe zëvendëspresidenten e tij, Kamala Harris, për fitoret, duke i dhënë fund heshtjes së gjatë rreth rezultatit të garës presidenciale. Ai ishte njëri prej republikanëve të Senatit që kishte refuzuar ta pranonte faktin se Bideni e kishte mposhtur Trumpin në zgjedhje.
Në deklarimin e tij në Senat, McConnelli derisa e pranoi Bidenin si president të 46-të të SHBA-së, e lavdëroi presidentin aktual, Donald Trump, për mandatin e tij katërvjeçar në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Sot dua ta uroj presidentin e zgjedhur Joe Biden”, ka thënë McConnell, duke shtuar se Bideni ia ka kushtuar shumë vjet të tij shërbimit publik. Republikani ka thënë se kishte shpresuar se do të kishte tjetër rezultat në zgjedhjet e 3 nëntorit. Por ka shtuar se të gjithë amerikanët duhet të krenohen që SHBA-ja për herë të parë ka zgjedhur një grua në postin e zëvendëspresidentes.
Pas kësaj Bideni ka bërë të ditur të ketë folur me McConnellin dhe se të dy janë pajtuar që të takohen së shpejti.
“Ani pse kemi mospajtime për shumë çështje, ka disa gjëra në të cilat mund të punojmë së bashku”, ka thënë Bideni para gazetarëve, “jemi pajtuar që të takohemi më mirë herët sesa vonë”.
Po ashtu gjatë së martës Bidenin e uroi për fitore në zgjedhje edhe presidenti rus, Vladimir Putin, lider ky i parapëlqyer nga Trumpi, si dhe presidenti meksikan, Andrés Manuel López Obrador.