Botë

Puerto Rico dëshiron të bëhet shteti i 51-të amerikan

Qytetarët e Puerto Ricos përmes një referendumi kanë mbështetur me shumicë bindëse propozimin që t’i dërgohet lutje Kongresit amerikan që ky ishull i Karaibeve të bëhet shteti i 51-të i SHBA, transmeton Koha.net raportimin e medieve të atjeshëm.

Guvernatori i Puerto Ricos, Ricardo Rossello tha se zgjedhësit në këtë territor me ekonomi të dobët të SHBA i kanë dërguar mesazh të fuqishëm Kongresit amerikan, pavarësisht se referendumi nuk është detyrues. Puerto Rico, ndërkaq, nuk ndodhet në krye të prioriteteve të Uashingtonit, thekson Reuters.

Sipas raportimeve për referendumin jodetyrues kanë marrë pjesë vetëm 23 për qind e 2.2 milionë zgjedhësve me të drejtë vote, ndërsa nga këta 97 për qind kanë mbështetur idenë për shtetin e 51-të të Amerikës.

Ithtarët e këtij opsioni shpresojnë se statusi i ri eventual i Puerto Rico do t’ia bënte të mundur këtij territori barazinë me 50 shtetet amerikane, që do të thotë edhe qasjen në fondet federale dhe të drejtën e votës për president të SHBA.