Ukraina del përfundimisht nga “Perandoria ruse”, dita e parë pa viza në BE

Ukraina del përfundimisht nga “Perandoria ruse”, dita e parë pa viza në BE

11 June 2017 18:20

Ukrainasit festuan ditën e parë të udhëtimit pa viza në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian.

“Vendi ynë ka dalë përfundimisht nga Perandoria Ruse”, tha presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.

Ukrainasit, që kanë pasaporta biometrike, do të mund të hyjnë pa viza në të gjitha shtetet e BE-së, përveç Irlandës dhe Britanisë, dhe do të mund të qëndrojnë deri në 90 ditë në një periudhë 180 ditëshe.

Regjimi pa viza iu vlen edhe për Norvegjinë, Islandën, Lihtenshtajnin dhe Zvicrën.

Poroshenko takoi homologun sllovak, Andrej Kiska, në kufirin Ukrainë-Sllovaki, për të hapur “derën simbolike të BE-së”.

“E kemi pritur kohë të gjatë këtë ditë”, tha Poroshenko në vendkalimin kufitar Uzhgorod.

Mijëra njerëz nga Ukraina kanë kaluar kufirin me vendet e BE-së deri në mesditën e së dielës, tha Ministria e Jashtme në Kiev.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, duke urar Ukrainën për liberalizimin e vizave, tha se kjo është “një ditë për t’u mbajtur në mend”. “Udhëtimi pa viza për ukrainasit tani është realitet”, shkroi Tusk në Twitter.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme