Irani ka drejtuar gishtin e fajësisë kah Izraeli, duke lënë të kuptohet se vrasja mund ta ketë pasur bekimin e Trumpit në largim. Republika Islamike është zotuar për hakmarrje, në atë që rrezikon përshkallëzimin serioz të tensioneve dhe mund ta vërë Lindjen e Mesme buzë një lufte të re.
Një shkencëtar iranian, për të cilin Perëndimi ka dyshuar kaherë se është truri i programit sekret iranian të bombave bërthamore, është vrarë të premten në një pusi afër kryeqytetit Teheran, në aktin që mund të provokojë konfrontime midis Iranit dhe armiqve të tij në javët e fundit të presidencës së Donald Trumpit.
Vdekja e Mohsen Fahrizadehut, për të cilin mediat shtetërore iraniane pretenduan se ka vdekur në spital pasi sulmues të armatosur e qëlluan me armë zjarri në veturën e tij, mund t’i komplikojë edhe përpjekjet e presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, për ringjalljen e ujdisë bërthamore me Iranin, arritur gjatë presidencës së Barack Obamas, raporton KOHA.
Irani ka drejtuar gishtin e fajësisë kah Izraeli, duke lënë të kuptohet se vrasja mund ta ketë pasur bekimin e Trumpit në largim. Republika Islamike është zotuar për hakmarrje, në atë që rrezikon përshkallëzimin serioz të tensioneve dhe mund ta vërë Lindjen e Mesme buzë një lufte të re.
Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, ka shkruar në Twitter për “indikacione serioze të rolit të Izraelit” dhe u ka bërë thirrje shteteve perëndimore që “t’u japin fund standardeve të turpshme të dyfishta dhe të dënojnë këtë akt të terrorit shtetëror”.
Këshilltari ushtarak i liderit suprem të Iranit, Ajetollahut ali Kahmenei, është zotuar “t’i godasë si rrufe vrasësit e këtij martiri”.
“Në ditët e fundit të jetës politike të aleatit... të tyre (Trumpit), zionistët synojnë ta intensifikojnë presionin mbi Iranin dhe ta ndezin një luftë plasëse”, ka shkruar Hossein Dehghan në Twitter.
Kryeqytetet botërore ende nuk kanë komentuar lidhur me rastin, siç ka bërë edhe Izraeli. Në Shtetet e Bashkuara, Shtëpia e Bardhë, Pentagoni, Departamenti i Shtetit dhe CIA kanë refuzuar të komentojnë. Njëjtë ka vepruar edhe ekipi transitor i Bidenit.
Fekhrizadeh ishte përshkruar nga Perëndimi dhe Inteligjenca izraelite si udhëheqës i programit sekret të bombave atomike, i ndaluar më 2003, por për të cilin Washingtoni dhe Tel-Avivi kanë ngritur dyshime se po synohet të ringjallet në mënyrë sekrete.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve “Tasnim” ka raportuar se “terroristët kanë ngritur në erë një tjetër veturë” para se të hapnin zjarr në automjetin që bartte Fakhrizadehun dhe truprojat e tij në pusinë afër kryeqytetit.
Pavarësisht se kush është përgjegjës për sulmin, ai qartazi do t’i përshkallëzojë tensionet mes Iranit dhe SHBA-së. Trump, i cili i humbi zgjedhjet e 3 nëntorit nga Bideni dhe do të largohet nga zyra më 20 janar, e tërhoqi SHBA-në nga ujdia e arritur për frenimin e programit bërthamor të Iranit.
Bideni ka paralajmëruar se synon ta ringjallë marrëveshjen, ndonëse shumë analistë kanë thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë brenda natës, pasi që dy palët mund të kërkojnë garanci shtesë.
Një zyrtar amerikan ka konfirmuar në fillim të muajit se Trumpi u ka kërkuar ndihmësve ushtarakë që ta përpilojnë një plan të sulmit të mundshëm mbi Iranin, por hoqi dorë shkaku i rrezikut të nxitjes së një konflikti më të gjerë në Lindje të Mesme. Ai kishte urdhëruar sulmin me dron në Bagdad, i cili la të vrarë komandantin më të pushtetshëm iranian Qassem Soleimani, duke e rrezikuar përshkallëzimin më të rrezikshëm të tensioneve Washington-Teheran.