Botë

Turqia dënon me burgim të përjetshëm drejtuesit e puçit të 2016-s

Katër liderët e grupit të akuzuar për drejtimin e tentim puçit, të cilët u cilësuan si “imamë civilë” shkaku i lidhjeve të pretenduara me rrjetin e imamit Fethullah Gulen, ishin mes të akuzuarve që morën 79 dënime të rënduara të burgimit të përjetshëm për akuzat e tentim vrasjes së presidentit Recep Tayyip Erdogan, vrasjeve dhe përpjekjes për rrëzimin e rendit kushtetues

Ankara, 26 nëntor (Reuters) – Një gjykatë turke ka dënuar të enjten me burgim të përjetshëm liderët e akuzuar për tentim puçin e dështuar të 2016-s, duke i shpallur fajtorë me qindra oficerë ushtarakë, pilotë dhe civilë për përpjekjen e rrëzimit të presidentit Recep Tayyip Erdogan me anë të sulmeve të ndërmarra nga një bazë ajrore afër kryeqytetit Ankara.

Gjykimi ndaj afro 500 të akuzuarve ishte rasti i profilit më të lartë ndërmarrë nga gjykatat e shumta vendore kundër mijëra personave të ngarkuar për përfshirje në tentimin për puç, për të cilin Ankaraja e fajësoi mbështetësit e imamit, Fethullah Gulen. Vetë Guleni ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje.

Më shumë se 250 persona ishin vrarë në natën midis 15 dhe 16 korrikut të 2016-s, kur një grup ushtarësh përdorën aeroplanë, helikopterë dhe tanke për të marrë nën kontroll institucionet shtetërore dhe për të rrëzuar Qeverinë e Erdoganit.

Të pandehurit u akuzuan për drejtimin e puçit dhe për bombardimin e godinave qeveritare, përfshirë Parlamentin, si dhe tentimin për vrasjen e Erdoganit. Shumë prej komandantëve të akuzuar për përfshirje veçse janë dënuar me burgime të përjetshme.

“Rrjeti tradhtar që drejtoi bomba në Parlament, Presidencë dhe ndaj popullit tonë është dënuar sërish para drejtësisë dhe kombit tonë”, ka thënë Omer Çelik, zëdhënësi i partisë së Erdoganit, AKP.

Katër liderët e grupit, të cilësuar si “imamë civilë” shkaku i lidhjeve të pretenduara me rrjetin e Gulenit, ishin mes të akuzuarve që morën 79 dënime të rënduara të burgimit të përjetshëm për akuzat e tentim vrasjes së presidentit, për vrasje dhe përpjekje të rrëzimit të rendit kushtetues. Pilotët e aeroplanëve F-16 ishin mes atyre që u dënuan me burgim të rënduar të përjetshëm, që sipas ligjeve turke nuk e parasheh të drejtën për ankesë.

Shumica e të pandehurve të tjerë po ashtu janë dënuar me burgim të përjetshëm, derisa 19 janë dënuar me burgim për ndihmë në puç dhe 41 për pjesëmarrje në një grup terrorist. 70 persona janë shfajësuar, ka raportuar agjencia turke e lajmeve “Anadolu”.

Shefi i atëhershëm i ushtrisë dhe tani ministër i Mbrojtjes, Hulusi Akar, dhe komandantë të tjerë ishin mbajtur nën arrest për disa orë radhazi në bazë, në natën e tentim puçit.

Në procesin më të madh gjyqësor lidhur me ngjarjet e korrikut të 2016-s, para drejtësisë janë nxjerrë gjithsej 475 persona, derisa 365 prej tyre janë vënë në mbajtje.

Gjykimi, i cili filloi më 1 gusht 2017, është pjesë e masave të ashpra të shtypjes ndërmarrë pas puçit, që rezultuan me arrestimin e rreth 77.000 personave dhe shkarkimin nga vendet e tyre të punës në institucionet qeveritare të 130.000 të tjerëve.