Botë

Bideni zotohet ta rikthejë SHBA-në në rolin e “udhëheqësit global”

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, ka shpalosur të martën vizionin e tij për politikat e jashtme të bazuara në vendosjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sërish në rolin e prijësit global dhe për fuqizimin e aleancave me rajonin e Azi-Paqësorit, teksa ka prezantuar të përzgjedhurit e tij për sigurinë kombëtare, raporton Reuters. 

Biden ka thënë se i përzgjedhuri i tij për sekretar Shteti, Antony Blinken, do ta rindërtojë moralin dhe besimin në Departamentin amerikan të Shtetit, që është përgjegjës për marrëdhëniet diplomatike të vendit.

“Ekipi mishëron besimin thelbësor se Amerika është më e forta kur bashkëpunon me aleatët”, ka thënë Bideni. “Është ky një ekip që e reflekton faktin se Amerika është rikthyer, se është gati për ta udhëhequr botën, e jo të sprapset prej saj”, ka thënë ai gjatë një konference për media në Wilmington të Delawares.

Biden ka thënë të jetë vërshuar nga thirrjet e liderëve botërorë, të cilët e kanë siguruar se “mezi presin që ta shohin SHBA-në tek e rimerr rolin historik si lider global përreth Paqësorit, sikurse edhe Atlantikut, e botës mbarë”.

Përveç Blinkenit si sekretar Shteti, Bideni në ekipin e tij ka përfshirë edhe Jake Sullivanin, të emëruar si këshilltar për Siguri Kombëtare, si dhe Linda Thomas-Greenfield si ambasadore amerikane pranë Kombeve të Bashkuara.

Mirëpo anëtarët republikanë të Senatit Amerikanë e kanë paralajmëruar Bidenin se mund t’i dalin në rrugë konfirmimit të përzgjedhurve të tij për kabinet, përkundër traditës së kahershme që i siguron të drejtën një presidenti të zgjedhur për ta zgjedhur këdo në agjencitë qeveritare.

Paralajmërimet nga senatorët Marco Rubio dhe Tom Cotton u bënë në ditën kur ekipi i Bidenit i shpalosi disa nga të përzgjedhurit për poste qeveritare, mes të cilëve përfshihet edhe ish-zyrtarja e CIA-s, Avril Haines, e emëruar si drejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare.

Bideni ka sinjalizuar gjithashtu caktimin e ish-shefes së Rezervave Federale, Janet Yellen, si sekretare të Thesarit.

Në rast se konfirmohet, Haines do të jetë gruaja e parë drejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare, ndërsa Alejandro Mayorkas i pari shef latinoamerikan i Sigurisë Kombëtare.

Emrat e parë të përbërjes së kabinetit të ardhshëm amerikan u shpalosën në ditën kur presidenti Donald Trump është pajtuar që ta lejojë fillimin e procesit të transicionit drejt administratës Biden. Megjithëkëtë, Trump ka refuzuar që ta pranojë disfatën në zgjedhje. Ai ka thënë se Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme (GSA), e cila e mbikëqyr procesin e pranim-dorëzimit të Presidencës, duhet “të bëjë krejt çfarë duhet bërë”, por ka vazhduar që të bëjë pretendime të paqëndrueshme se zgjedhjet e 3 nëntorit ishin “manipuluar”.

Me nisjen formale të procesit të transicionit, Bideni tani mund të ketë qasje në miliona dollarë fonde, në konferencat e rregullta të sigurisë kombëtare dhe tek zyrtarët kyç të Qeverisë për përgatitjen adekuate të marrjes së presidencës më 20 janar të vitit të ardhshëm.

Gjatë së martës, guvernatori Tom Wolf ka bërë të ditur të ketë certifikuar rezultatet që ia dhanë Bidenit fitoren në shtetin e Pennsylvanias, një prej shteteve kyç për zgjedhjet presidenciale. Me këtë Bideni ka kapërcyer një tjetër pengesë ligjore drejt fitores, pasi presidenti Trump sfidoi ligjërisht rezultatin në Pennsylvania. Një ditë më parë Bideni e fitoi betejën ligjore për vota edhe në shtetin e Michiganit.

Në kuadër të emërimeve për kabinetin, Bideni gjatë së hënës kishte caktuar ish-sekretarin e Shtetit, John Kerry, si emisar të posaçëm për klimën, në një shenjë të qartë se do ta vendosë kauzën klimatike në epiqendër të politikave të tij të jashtme.

Kerry, emërimi i të cilit nuk e kërkon konfirmimin e Senatit, do ta ketë një vend në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, duke u bërë kësisoj zyrtari i parë i këtij trup i emëruar enkas për çështjen e klimës.

Derisa ishte sekretar shteti në administratën e ish-presidentit Barack Obama, 76-vjeçari Kerry i kishte quajtur ndryshimet klimatike “armën më të frikshme të asgjësimit masiv në botë”.

Për dallim prej Trumpit, Bideni beson se ndryshimet klimatike e vënë në rrezik sigurinë kombëtare, ngase shkaktojnë jostabilitet rajonal dhe kërkojnë më shumë misione humanitare nga Ushtria amerikane.