Botë

Poshtërimet nuk e dorëzojnë ekipin e grave braziliane

Kur gratë e ekipit të futbollit “Taboao da Serra” humbën një ndeshje të ligës me rezultat 29-0 ishte e ditur se gjërat do të përkeqësoheshin për klubin e vogël me bazë në qytetin më të madh të Brazilit, Sao Paulo.

Humbja e tmerrshme ishte kryetitull nëpër botë, por kjo nuk ishte humbja e fundit. Ato humbën edhe në tri ndeshjet e radhës me rezultat 14-0, 10-0 dhe 16-0 janë eliminuar nga kampionati shtetëror i Sao Paulos në fazën e grupeve, raporton KOHA.

Njëra nga futbollistet është shprehur e zhgënjyer me rezultatin.

“Nuk dua as të humbasim e as të barazojmë. Është shumë e vështirë të humbësh, sidomos 29 me 0. Ua kam përmendur vajzave disa herë se ka qenë humbja më e keqe që kam përjetuar në jetën time”, tha ajo.

Vendi i Amerikës Jugore është i njohur si shtëpia e futbollit me futbollistët si Pele, Ronaldo dhe Neymar dhe i vetmi vend që e ka fituar Kupën e Botës pesë herë.

Edhe ekipi i grave është i njohur në skenën ndërkombëtare, por shumica që luajnë në Brazil po përballen me vështirësi të mëdha, duke filluar nga sigurimi i pajisjeve të nevojshme.

“Nuk kemi kurrfarë ndihme, madje as këpucë. Lojtaret duhet t’i blejnë vetë pajisjet dhe ta paguajnë transportin – që për një person kushton rreth 20/30 reais në ditë (3.77/5.66 dollarë). Ndonjërës prej tyre i duhet dy apo tri orë për të mbërritur në shtëpi, disa vijnë nga puna, të lodhura, pa gjumë”, shton ajo.

Rezultatet i kanë dhënë shkëndija një debati tjetër rreth ndeshjeve të grave në Brazil. Reagimet e ashpra dhe sigurisht komentet seksiste nuk munguan.

“Kur humbëm thanë: ‘Duket se tërë ekipi është i infektuar me Covid-19, nuk ishin as në fushë’. Gjëra që i dini. Flisnin sikur futbolli të ishte vetëm për burra dhe se gratë duhet të rrinë në shtëpi për të larë enë. Shumica e lojtareve marrin mesazhe të tilla”, shtoi tutje.

Rezultatet dhe mesazhet reflektojnë sfidat me të cilat përballen futbollistet në Brazil.

Eliminimi i tyre do të thotë se nuk do të jenë pjesë e ndeshjeve garuese deri vitin e ardhshëm dhe e ka vënë në mëdyshje të ardhmen e futbollisteve.

“Taboao”, sikurse shumë klube të tjera në Brazil, ballafaqohet me vështirësi financiare dhe është duke vendosur nëse duhet t’i përqendrojnë burimet e tyre në ekipin e burrave vitin e ardhshëm.

“Pavarësisht gjithë vështirësive që kemi pasur, kjo është gjëra më e mirë që kam bërë në jetë. Mund t’u them fëmijëve dhe nipave e mbesave se kam luajtur”, u shpreh ajo.

Sidoqoftë, futbollistet duket se nuk do të dorëzohen, pasi kanë vazhduar të luajnë. Ato janë të kënaqura dhe shumë optimiste për të ardhmen e tyre.