Botë

Raketat godasin kryeqytetin afgan, të paktën tre të vdekur

Disa raketa kanë goditur zona në Kabul të Afganistanit në orët e hershme të së shtunës, duke lënë të vrarë të paktën tre civilë dhe disa të lënduar, thanë zyrtarë policorë.

Shpërthimet vijnë dy ditë para mbajtjes së konferencës për Afganistanin në Gjenevë.

Zëdhënësi nga Ministria e Brendshme, Tariq Arian, tha se tre civilë u vranë dhe 11 u lënduan, por një zyrtar i shëndetësisë deklaroi se pesë trupa dhe 21 të lënduar ishin dërguar në spital nga incidenti, raporton Reuters.

Arian tha se “terroristët” i kishin futur raketat përmes një kamioni të vogël dhe i kishin shpërthyer, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të gjetur se si kamioni kishte arritur të futej në qytet.

Qe nga bisedimet për paqe mes qeverisë afgane dhe talibanëve, sulmet nga talibanët dhe grupet tjera ekstremiste janë në rritje, veçanërisht në kryeqytet.