Botë

Pastrueset e të vdekurave

Descriptive Text

Një numër i madh i grave nga Koreja Jugore janë duke u trajnuar për t’u bërë drejtuese varrimi, në një fushë që deri tash nuk ishin lejuar, në valën e ndryshimit të perceptimit të roleve gjinore dhe rritjes së preferencës që për trupat e të vdekurave të kujdesen gratë.

Pas vdekjeve të fundit të grave të famshme dhe figurave të njohura, gjithashtu edhe vështrimit kritik të shtuar të dhunës seksuale ndaj grave, ndjeshmëria ndaj gjinisë është duke ndryshuar mënyrën se si familjet e së ndjerës ua japin lamtumirën e fundit gjysheve, nënave dhe vajzave të tyre.

“Nuk ndihesha rehat kur kolegët e mi të gjinisë tjetër më preknin, edhe kur isha plotësisht e veshur”, ka thënë Park Se-jung 19-vjeçare, që është në vitin e dytë të studimeve për drejtim funeralesh.

“Sigurisht se nuk dua që të më prekin, të më lajnë dhe ta veshin trupin tim lakuriq edhe kur të jem e vdekur. Jam e vendosur që duhet të jem ajo që këto gra ta marrin lamtumirën e fundit në mënyrën e duhur.

Kjo dukuri vjen në mesin e thirrjeve të shtuara për dhunën seksuale ndaj grave, përfshirë edhe krimet e fshehura në kamera, “pornografia hakmarrëse” dhe rrjetet në internet që i kanë shantazhuar gratë dhe vajzat për të ndarë fotografi seksuale e nganjëherë edhe të dhunshme.

Në fillim të viteve 2000, rreth një e treta e studentëve për drejtuese varrimi ishin gra, por sot ato përbëjnë 60 për qind të tyre, ka thënë Lee Jong-woo, profesor i balsamimit në Universitetin e Eulijit në Seongnam afër Seulit.

“Sipas ideologjisë konfuçiane, vdekja është konsideruar tabu në Korenë Jugore në të kaluarën dhe ka pasur perceptim negativ nëse gratë do të merren me një punë të tillë, por perceptimi ka ndryshuar”, ka thënë Lee.

Vdekjet e të rinjve

Kompanitë e funeraleve thonë se janë duke pranuar më shumë kërkesa për drejtuese funeralesh.

“Shumica e vdekjeve te të rinjtë janë për shkak të vetëvrasjeve dhe familjet në zi, sidomos nëse një grua ka bërë vetëvrasje, ndihen më rehat nëse ne kujdesemi për trupin”, ka thënë Park Bo-ram, që tash e shtatë vjet punon si drejtuese funeralesh.

“Më kujtohet një adoleshente, fëmijë i vetëm…kishte bërë vetëvrasje”, ka thënë Park. “Duke e larë dhe duke e veshur trupin, kam parë shumë shenja të vetëlëndimit në kofshë, por askush prej familjarëve të saj nuk e kishte ditur”.

Parkut i kujtohet se prindërit e vajzës ishin pafundësisht mirënjohës, edhe në mesin e atij pikëllimi, që një drejtuese varrimesh po kujdesej për trupin e bijës së tyre.

Vetëvrasje të shumta

Shkalla e vetëvrasjeve në Korenë Jugore është më e larta në botën e zhvilluar: 24.6 vdekje në 100,000 njerëz më 2019, krahasuar me një mesatare prej 11.3. Atë vit, vetëvrasja qe shkaktari numër një i vdekjeve në mesin e adoleshentëve dhe njerëzve në të 20-t dhe 30-t.

Më shumë se 4 mijë gra kanë bërë vetëvrasje më 2019, përfshirë këtu edhe artistet e K-popit Koo Hara dhe Sulli.

Më 2016, një e katërta e 6 mijë e 200 drejtuesve të funeraleve ishin gra, dhe kur më shumë se 130 mijë gra dhe vajza po vdesin çdo vit, kërkesat që gratë t’i drejtojnë funeralet pritet të rritet në vijim, ka thënë Shërbimi i Informatave të Punësimit të Koresë.

Prapëseprapë qëndron rezistenca që gratë të jenë pjesë e biznesit të varrimit.

Shin Hwa-jin, 21-vjeçare, që planifikon të punojë një shtëpi funeralesh pas diplomimit, ka thënë se ka qenë e shokuar me bisedën që ka pasur një drejtuese varrimesh me vjehrrën e saj.

“Vjehrra e saj e kishte pyetur: “Si mund të të shkoj mendja të gatuash te unë me duart me të cilat e ke prekur një kufomë?”, kishte thënë ajo.