Botë

Maqedonia e Bullgaria përplasen për historinë e gjuhën

Është thelluar përplasja ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Bullgarisë, pasi Qeveria bullgare përdori të martën veton kundër hapjes së negociatave për anëtarësim të Shkupit zyrtar në Bashkimin Evropian. Sofja zyrtare ka arsyetuar vendimin me mospajtimet për gjuhën dhe historinë e Maqedonisë Veriore.

“Bullgaria në këtë fazë nuk mund të mbështesë draftin e kornizës së negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare”, ka deklaruar Ekaterina Zaharieva, ministre e Jashtme e Bullgarisë pas takimit me homologët evropianë në një takim online.

Pavarësisht vetos së Bullgarisë për kornizën negociuese me Bashkimin Evropian, autoritetet maqedonase thonë se bisedime me Sofjen për gjuhën dhe identitetin maqedonas nuk mund të ketë.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, ka thënë se në seancën e së martës të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian nuk do të miratohet vendimi për konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, përveç vetos bullgare, janë edhe arsye të tjera që nuk do të ketë vendim, pasi për shkak të pandemisë, mbledhja e ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të BE-së mbahet online, andaj edhe protokolli i punës nuk lejon marrjen e vendimeve.

“Ne duam anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duam t’i nisim bisedimet, por nuk bisedojmë dhe nuk mund të bisedojmë për atë se kush jemi dhe çfarë gjuhe flasim. Ne jemi maqedonas që flasim gjuhën maqedonase. Kjo është e drejtë e jona sovrane. Pasuritë gjuhësore janë një nga vlerat thelbësore të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Dimitrov në një prononcim për media, duke theksuar se negociata të tilla nuk do të ketë as vitin e ardhshëm, e asnjëherë tjetër.

Dështimi për nisjen e bisedimeve dhe kushtëzimet e palës bullgare kanë rritur tensionet mes pushtetit dhe opozitës në Maqedoni të Veriut.

Kreu i partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, ka fajësuar Qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev, duke argumentuar se ka lejuar Bullgarinë jo vetëm të bllokojë procesin integrues, por edhe të “poshtërojë maqedonasit”.

“Nuk ka një maqedonas apo ndonjë qytetar tjetër që e ndien këtë vend si të vetin që të mos ndihet i poshtëruar, i ofenduar nga të gjitha ato deklarata që populli ynë është artificial, se gjuha është një pemë pa rrënjë, por e shpikur në vitin e 1945, që luftëtarët tanë të shenjtë për liri ishin bullgarë dhe çfarë jo tjetër”, ka deklaruar Mickovski duke bërë të qartë se VMRO-ja nuk do të pranojë asnjë kompromis që asimilon popullin maqedonas.

“Unë i bëj thirrje Qeverisë së Zaevit të mbrojë interesat kombëtare dhe strategjike. Këto duhet të jenë prioritetet e saj, të arrijë një zgjidhje jo me çmimin e vetëmohimit dhe fshirjes, një zgjidhje që do të garantojë identitetin tonë, gjuhën dhe që do të mundësonte nisjen e negociatave me BE-së”, ka theksuar Mickovski.

Lidhja Socialdemokrate e kryeministrit Zaev ka hedhur poshtë akuzat e opozitës duke ia rikujtuar asaj “punën që është bërë në procesin e integrimit euroatlantik ”.