Botë

Trumpi e Bideni ashpërsojnë garën, pas debatit të vizioneve përplasëse për SHBA-në

Presidenti Donald Trump dhe sfiduesi i tij elektoral Joe Biden e nisën furishëm të premten betejën për 11 ditët e fundit të garës për të parin e Shtëpisë së Bardhë, vetëm një ditë pas përplasjeve rreth pandemisë COVID-19 dhe integritetit personal në debatin e dytë dhe të fundit para zgjedhjeve.

74-vjeçari Trump ia mësyu fushatës në shtetin vendimtar të Floridas, ku sondazhet popullore flasin për një garë të ngushtë. Ndërsa Bideni (77) mbajti fjalim në shtetin e tij të lindjes Delware lidhur me planet për rimëkëmbjen pas pandemisë, transmeton KOHA.

Më shumë se 47 milionë amerikanë tanimë kanë dhënë votat e tyre personalisht apo me postë, shifër kjo tetëfish më e lartë se ajo e votave të dhëna në të njëjtën periudhë gjatë zgjedhjeve të 2016-s. E kjo gjë i lë Trumpit, i cili po ngec në sondazhet mbarëkombëtare, më pak gjasa për t’ua ndryshuar mendjen votuesve para 3 nëntorit.

Yrishi më i fundit për vota i dy kandidatëve është bërë pasi Trumpi dhe Bideni patën ballafaqimin e tyre të dytë personal në debatin e fundit. Në ngjarjen që u përshkua me kritika e akuza të serta, Trumpi e portretizoi Bidenin si një zyrtar përtac nga Washingtoni. Derisa Bideni e akuzoi presidentin si njeri të pashpirt që i ndau familjet refugjate dhe i ndezi tensionet raciste në SHBA.

Duel i pikëpamjeve të kundërta

Presidenti Trump dhe Bideni shpalosën argumente të kundërta në duelin e së enjtes mbrëma. Ofruan baste të kundërta për pandeminë e koronavirusit dhe shpërfaqën dallime të pakapërcyeshme për rimëkëmbjen ekonomike, ringjalljen e sistemit shëndetësor, luftimin e krizës klimatike dhe reformimin e ligjeve të imigracionit.

Debati si tërësi ishte një ballafaqim më i matur sesa i pari i fundshtatorit, kur Trumpi i ndërhyri Bidenit për një orë dhe theu çdo rregull të debatit televiziv. Mirëpo nëse rrjedha e debatit do të ishte më e mirëfilltë, konflikti brenda temave dhe vizionit do të ishte shumë më i zbehtë.

Që në minutat e para të duelit kandidatët patën qëndrime të kundërta për pandeminë. Trumpi, ani pse faktet flasin ndryshe, premtoi se virusi “do të ikte”. Në anën tjetër, Bideni bëri thirrje për veprime më agresive të Qeverisë para se të niste “dimri i errët”.