Botë

Të lodhur nga lufta, afganët kërkojnë t’u jepet fund paqartësive politike

Në muzeun e ndërtuar për nderimin e viktimave të luftës së Afganistanit, vizitorët shohin se si breza të ndryshëm të afganëve kanë përjetuar pasojat e konflikteve të katër dekadave të fundit në vend. Këtu reflektohen krenaria dhe dhimbja e popullit të vuajtur.

Fahria Hajat kujton sulmin që ia ndryshoi jetën familjes së saj përgjithmonë.

Ishte viti 1995 kur kryeqyteti afgan ishte nën shtetrrethim, i sulmuar me raketa prej grupeve rivale muhaxhedine. Një raketë shpërtheu në oborrin e saj, duke ia vrarë vëllanë dhe lënë motrën përjetësisht në karrocë.

Hajat është një prej vizitorëve të Qendrës për Dialog dhe Kujtesë. Ajo dhe afganët tjerë tregojnë se si militantët e Abdul Sajafit po bombardonin qytetin. Ai ishte i njohur për lidhjet me “Al-Kaidën” në vitet nëntëdhjetë.

Danish Habibi ishte fëmijë kur më 200 talebanët morën kontrollin e fshatit në luginën Bamijam. Për të, kujtimet e asaj kohe janë kthyer në ankth të vazhdueshëm.

Burrat ishin ndarë nga gratë dhe fëmijët. Babai i Habibit iu kthye me këmbë të thyer. Më kurrë nuk mundi të ecte në këmbë të veta. Edhe ish-lideri Hamid Karzai ka rrëfyer për tmerrin e dekadave me konflikte. Megjithatë shpreson se muzeu do të kthehet në burim force.