Botë

Ministrat e Jashtëm të Azerbajxhanit dhe të Armenisë takohen në Moskë

Armenia dhe Azerbajxhani kanë konfirmuar se ministrat e tyre të Jashtëm do të marrin pjesë në bisedimet në Moskë, të premten.

Ministria e Jashtme ruse është cituar nga Agjencia e Lajmeve RIA të ketë deklaruar se Armenia dhe Azerbajxhani kanë pranuar ofertën për të diskutuar pas ftesës së Kremlinit.

“Baku dhe Yerevankanë konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në bisedimet në Moskë”, ka thënë zëdhënësja e ministrisë, Maria Zakharova, përcjell Reuters.

Nëse dy ministritë e jashtme takohen, do të jetë kontakti i parë direkt ndërmjet dy ish-republikave sovjetike që nga shpërthimi i konfliktit mes tyre.

Ndërkaq, raportohet se forcat e Azerbajxhanit dhe Armenisë janë përplasur sërish të premten derisa është planifikuar takimi në Rusi.

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha se ka pasur përplasje të ashpra me forcat armene gjatë natës përgjatë vijës së kontaktit që ndan dy palët në Nagorno-Karabakh, transmeton KOHA.

Një takim tjetër ishte paralajmëruar për të enjten. Ministri i Jashtëm armen, Zohrab Mnatsakanyan, nuk mori pjesë në bisedimet në Gjenevë, por ai i Azerbajxhanit Jeyhun Bayramov e pranoi një ftesë të tillë, teksa nuk janë dhënë detaje nga ky takim.