Botë

SHBA-ja nuk i bashkohet përpjekjeve të OBSH-së për vaksinën anti-COVID

Descriptive Text

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur të martën se nuk do të jenë pjesë e asnjë përpjekjeje të përbashkët për të zhvilluar dhe shpërndarë një vaksinë anti-COVID, duke dalë kundër një funksionimi të përbashkët me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Vendimi që të shkohet si e vetme, siç ka raportuar “The Washington Post”, vjen pas vendimit të mëhershëm në korrik të Shtëpisë së Bardhë që SHBA-ja të dalë nga OBSH-ja. Presidenti Donald Trump kishte thënë se OBSH-ja ka nevojë për reforma dhe ndikohet shumë nga Kina.

Disa kombe tashmë kanë punuar direkt për t’u furnizuar me vaksinë, por disa të tjerë po bashkohen për të garantuar sukses kundër një sëmundjeje që s’ka pasur kufij gjeografikë. Më shumë se 150 shtete janë pjesë e aleancës botërore për vaksinën anti-COVID. Përpjekjet e kësaj organizate, të lidhur me OBSH-në, ia mundësojnë shteteve të përfitojnë më shpejt vaksinën sapo që të ketë siguri se ajo është efektive.

OBSH-ja ka thënë se edhe qeveritë që bëjnë marrëveshje me prodhues individualë të vaksinave do të përfitojnë nga bashkimi me aleancën sepse ajo do të siguronte vaksinat rezervë nëse ato që bëhen përmes marrëveshjeve bilaterale me prodhuesit nuk janë të suksesshme.

“SHBA-ja do të vazhdojë të angazhohet me partnerët ndërkombëtarë për t’u siguruar se do ta mposhtim virusin, por nuk do të sforcohemi nga organizata multilaterale të ndikuara nga Organizata e korruptuar e Shëndetësisë dhe Kina”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, që ka shtuar se Trumpi është i interesuar t’u përmbahet standardeve të sigurisë dhe efikasitetit në SHBA.

Disa kompani tashmë janë duke punuar në vaksinat eksperimentale kundër COVID-19. Ndër to është edhe “AstraZeneca” ka nisur fazën e fundit finale të testimeve në SHBA. Studimi i kompanisë angleze përfshin testimin e rreth 30 mijë njerëzve. Dy kompani të tjera kanë nisur tashmë testimet në SHBA. Njëra është nga “Moderna” dhe tjetra nga “Pfizer” dhe “BioNTech”.

Deri tash në gjithë botën janë konfirmuar si të prekur nga koronavirusi më shumë se 25.7 milionë persona e 857 mijë kanë vdekur. SHBA-ja është më e prekura me mbi 6 milionë të prekur.