Botë

Fauci kundër autorizimit të përkohshëm të një vaksine kundër COVID-19

Çdo përpjekje për të autorizuar dhe shpërndarë një vaksinë të koronavirusit para se të vërtetohet se është e sigurt dhe efektive, mund të dëmtojë përpjekjet e zhvillimit të vaksinave të tjera, sipas epidemiologut Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive.

“Është e rrezikshme të përdorim një vaksinë e cila nuk ka përfunduar të gjitha fazat e gjykimeve. Për mua, është absolutisht parësore që të dëshmohet se një vaksinë është e sigurt dhe efektive”, tha Fauci.

Në Hong Kong një njeri që u shërua nga koronavirusi, u testua prapë, dhe u dokumentua si rasti i parë i riinfektimit, thanë hulumtuesit e Universitetit të Hong Kongut, të hënën.

Gjetjet tregojnë se sëmundja, që ka marrë jetën e më shumë se 800 mijë njerëzve, mund të vazhdojë të shpërndahet në popullsi pavarësisht sistemit të tyre imunitar, thonë studiuesit.

Koreja e Jugut, të martën urdhëroi që shumica e shkollave në Seoul dhe rrethinë të mbyllen, dhe mësimi të vazhdojë online deri më 11 shtator, si masë parandaluese pas rritjes së rasteve me koronavirus.

“Barkodet gjenetike” mund të ndihmojnë të monitorohen mutacionet. Ato mund të ndihmojnë të shohim se si koronavirusi shpërndahet dhe zhvillohet”, thanë studiuesit të shtunën. Bazuar në organizimin e kodit gjenetik të virusit, hulumtuesit identifikuan 11 “barkode” të veçanta, që përfaqësojnë disa linja që shfaqën nga i njëjti paraardhës viral.