Botë

Ish-avokati nxjerr të palarat e Trumpit, nga tradhtitë ndaj Melanias tek marrëveshjet e fshehta me Putinin

Michael Cohen ka publikuar një pjesë të librit të tij rreth Donald Trumpit, duke zbuluar disa të vërteta rreth jetës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ish-avokati i Trumpit në librin e titulluar “Disloyal” (I pabesë) thotë se nxjerr Donaldin ashtu siç është në të vërtetë dhe që pak e njohin.

“Përveç gruas dhe fëmijëve, unë e njihja Trumpin më mirë se kushdo tjetër,” shkruan Cohen duke pretenduar se ishte ai që e shtyu për të garuar për president, përcjell Shqip.

“Unë e njihja më mirë se kushdo se e kam parë në të gjitha rrethanat, në klub stripi, në takime biznesi, dhe në momentet kur e tregonte vërtet veten si ishte: gënjeshtar, mashtrues, racist,” zbulon ai.

Në pjesën e parë të librit, ish-avokati i tij zbulon se Trump nuk ka miq të vërtetë, nuk ka askënd me kë të ndajë sekretet. “Për 10 vite më kishte vetëm mua, isha gjithnjë aty për të dhe shikoni ç’më ndodhi mua”.

Madje ai zbulon se e ka shpëtuar edhe nga një dënim 3-vjeçar me burg. “Unë merresha me të gjitha, me kundërshtarët e tij, me partnerët e biznesit, madje gënjeja dhe Melania-n për tradhtitë e tij jashtë-martesore. I bërtisja dhe kërcënoja këdo që hynte në rrugën e tij drejt pushtetit,” pranon Cohen.

“Nga eskperiencat në klubet e seksit në Vegas tek mashtrimet me taksat dhe marrëveshjet e fshehura me zyrtarët nga ish-Bashkimi Sovjetik. Nuk isha thjesht një dëshmitar i rritjes së Trumpit në pushtet, ishte pjesëmarrës shumë aktiv,” shkruan ai.

Ai shton se Trump ka bërë gjithçka për t’u bërë pjesë e botës së Putinit dhe oligarkëve të tij të korruptuar.