Botë

Të dhënat sizmologjike sugjerojnë që shpërthime tjera i paraprinë eksplodimit në Bejrut

Descriptive Text

Të dhënat sizmologjike kanë sugjeruar që gjashtë shpërthime të njëpasnjëshme i kanë paraprirë eksplodimit në portin e Bejrutit, me të fundit që ishte një ndezje e fishekzjarrëve të cilat si duket e ndezën depon e mbushur me nitrat amoni, ka thënë një analist nga Izraeli të enjten.

Të gjashtë shpërthimet ndodhën në intervale kohore prej 11 sekondash gjatë incidentit të 4 gushtit, dhe eksplodimi i fundit ndodhi pas 43 sekondave, ka deklaruar Boaz Hayoun nga Grupi “Tamar” i Izraelit për Reutersin.

Hayoun, një ish zyrtar i inxhinierisë ushtarake, roli i të cilit tani përfshin mbikëqyrjen e standardeve të sigurisë së përdorimit të eksplozivëve në Izrael, ka shtuar se analiza e tij ishte bazuar në të dhëna nga sensorët sizmologjikë të stacionuar përgjatë rajonit.

“Nuk mund të them me siguri se çka ka shkaktuar eksplodimin, por mund të them se të gjitha shpërthimet ishin në lokacionin e njëjtë”, është shprehur ai.

Njëri nga sensorët e përmendur nga Hayoun ishte i instaluar afro 70 kilometra larg bregut të Libanit. Sensorët ishin të vendosur nga projekti ndërkombëtar gjeologjik “IRIS”, transmeton KOHA. Nga ky projekt kanë thënë se kanë kapur më shumë se pesë shpërthime të vogla për 11 sekonda para eksplodimit të madh. Nga “IRIS” kanë thënë nuk besojnë që lëkundjet lidhen me eksplodimin e madh.

Hayoun ka vlerësuar se incidenti i Bejrutit ka përfshirë eksplodime nga nëntoka. Ai thotë se krateri i thellë 43 metra nuk ka gjasa të jetë krijuar nga shpërthimi i sasisë së amonit të nitratit. “Do të ishte më e cekët, rreth 25 ose 30 metra”, ka thënë ai.

Eksplodimi kryesor nga depoja e nitratit të amonit u parapri nga një zjarr aty afër.

Nga shpërthimi i madh kanë mbetur së paku 172 persona të vdekur e mijëra të tjerë të lënduar.