Botë

Të braktisur nga shteti, libanezët ndihmojnë njëri-tjetrin

Në qytetin jugor të Libanit, Haris, një çift i sapomartuar po jeton në apartamentin e Safy Faqeehit pa pagesë. Nuk janë takuar kurrë me të dhe nuk janë në muajin e mjaltit. Banesa e tyre në Bejrut u shkatërrua nga shpërthimi i madh i javës së kaluar në port.

Faqeeh është njëri nga qindra libanezët i cili i ka hapur dyert e shtëpisë për njerëzit pa strehë.

Eksplodimi, i cili shkatërroi shumicën e kryeqytetit, la afro çerek milioni njerëz pa kulm mbi kokë. Por këta persona nuk po qëndrojnë nëpër strehimore kolektive apo neper parqe.

Në mungesë të qeverisë, vetë banorët po e ndihmojnë njëri-tjetrin.

Disa kanë shkuar te kushërinjtë, miqtë apo fqinjët. Tjerët si Faqeeh e zgjeruan solidaritetin edhe më tej, duke lajmëruar nëpër mediat sociale se kanë një dhome të zbrazët për të strehuar ata që kanë nevojë.

Kur ishte adoleshent, shtëpia e Faqeehit u shkatërrua në vitin 2006, në luftën mes Izraelit dhe Hezbollahut dhe familja e tij u detyrua të shkojë në një banesë në Tripoli, në anën tjetër të Libanit. Tani ai po e shpaguan mirësinë.

“Kemi kaluar nëpër shumë lufta dhe të tjerët na kanë ndihmuar”, tha ai.

Ndihma që libanezët po i japin njëri-tjetrit nuk ndalet vetëm te strehimi. Të armatosur me helmeta dhe fshesa, me qindra vullnetarë kanë pastruar lagjet e dëmtuara të Bejrutit, duke pastruar shtëpi dhe duke rregulluar aq sa munden, mjaft sa për t’ua mundësuar njerëzve qëndrimin aty, transmeton KOHA.

Në disa rrethana, vullnetarët po pastronin rrugët dhe po hiqnin rrënojat, gjersa forcat e sigurisë ose ushtarët po rrinin dhe po shikonin.

Kjo vetëm sa ka shtuar mosbesimin e libanezëve ndaj qeverisë, e cila ka dështuar t’iu sigurojë edhe nevojat elementare, e lerë me të menaxhojë një krizë të tillë. Tashmë populli e fajëson qeverinë dhe elitën sunduese, për jokompetencë, keqmenaxhim dhe korrupsion. Autoritetet lejuan që 2.750 tonë nitrati të amonit që është shumë eksplodues, të qëndrojë në një depo në port, pavarësisht shumë paralajmërimeve për rrezikun e lartë, deri sa nuk eksplodoi kur u prek nga një zjarr. Shpërthimi vrau më shumë se 170 njerëz, lëndoi me mijëra dhe shkaktoi kaos në tërë shtetin.