Botë

Protesta të mllefosura në Bejrut, protestuesit hyjnë në objektin e Ministrisë së Jashtme

20:17 - Siç raporton BBC, dhjetëra protestues në Bejrut kanë arritur të hyjnë në objektin e Ministrisë së Jashtme të Libanit, gjatë protestave të ashpra që po ndodhin pas shpërthimit të madh të së martës e që la së paku 158 të vdekur.


Me mijëra libanezë të mllefosur me udhëheqësit e tyre politikë, kanë dalë sërish në rrugë, katër ditë pasi një eksplodimi të madh i cili vrau së paku 158 persona.

Shpërthimi i së martës në port shkatërroi disa pjesë të qytetit dhe ka rindezur mllefin ndaj klasës së korruptuar dhe të paaftë politike, sipas shumicës, shkruan BBC.

Eksplodimi u shkaktua nga një deponi e madhe e nitratit të amonit i cili u konfiskua nga një anije por kurrë nuk u zhvendos në një vend të sigurt.

Qeveria ka premtuar se do t’i gjejë fajtorët.

Por në Liban ekziston një ndjenjë e madhe mosbesimi, ku protestat anti-qeveritare u ndezën tetorin e kaluar, për shkak krizës ekonomike dhe valutës që po pëson inflacion deri në kolaps.

Dy ministra të cilët u përpjekën të vizitonin lagjet e dëmtuara, u përzunë nga protestuesit.

“Pas tre ditë të pastrimit, heqjes së gërmadhave dhe lëpirjes së plagëve, koha është të shfrenojmë mllefin tonë dhe t’i dënojmë”, tha Fares Halabi, një aktivist 28 vjeçar.

Policia ka gjuajtur me gaz lotsjellës protestuesit që gjuanin me gurë dhe të cilët u përpoqën të përçajnë një barrikadë për të arritur deri te ndërtesa e parlamentit, transmeton KOHA.

Pos shfaqjes së mllefit, marshi gjithashtu u bë si përkujtim ndaj viktimave të eksplodimit, i cili lëndoi 6,000 persona. 300,000 tjerë kanë mbetur pa kulm.

Presidenti i Libanit Michel Aoun ka refuzuar thirrjet për një hetim ndërkombëtar mbi eksplodimin. Ai tha se autoritetet lokale do të hetojnë nëse shpërthimi u ndez nga një “ndërhyrje e jashtme” si për shembull ndonjë bombë.

Ndërkohë udhëheqësit global të dielën do të mbajnë një takim virtual për donacione, të organizuar nga presidenti francez Emanuel Macron.

Macron u mbërthye nga turmat e njerëzve të cilët po bëjnë thirrje për intervenim të jashtëm, kur e vizitoi Bejrutin këtë javë menjëherë pas shpërthimit.