Botë

OBSH-ja sërish paralajmëron për rreziqet e “nacionalizimit të vaksinës”

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka theksuar “nacionalizimin e vaksinës”, duke i paralajmëruar shtetet më të pasura që nëse i mbajnë trajtimet vetëm për vete, nuk mund të shpresojnë të mbesin të sigurta nëse shtetet më të varfra megjithatë mbesin të ekspozuara.

Derisa rastet globale me Covid-19 tejkaluan 19 milionë persona të premten, kreu i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se do të ishte në interesin e shteteve më të pasura që të ndihmojnë çdo shtet tjetër në mbrojtjen nga sëmundja, shkruan The Guardian.

“Nacionalizmi i vaksinës nuk është i mirë, nuk do të na ndihmojë”, tha Tedros gjatë një video-konference me Forumin Aspen Security të SHBA-së.

“Në mënyrë që bota të shërohet më shpejtë, duhet të shërohet së bashku, sepse është një botë e globalizuar, ekonomitë janë të ndërlidhura. Nuk mund të mbetet e sigurt dhe e shëruar vjetëm një pjesë e botës”, tha tutje.

Disa shtete janë duke garuar për gjetjen e vaksinës kundër koronavirusit, i cili globalisht ka vrarë më shumë se 700,000 persona, transmeton KOHA.

Një studim në SHBA tha se 300,000 amerikanë mund të vdesin nga Covid-19 deri në dhjetor nëse udhëheqësit dështojnë në promovimin e masave si mbajtja e maskave.

Ndërsa përreth botës më shumë se 1 milionë afrikanë janë infektuar me virusin, derisa sëmundja po vazhdon përhapjen në këtë kontinent.

Vdekjet nga Covid-19 në Meksikë kanë tejkaluar 50,000, ndërsa në Brazil, ku vdekjet janë duke tejkaluar shifrën 100,000, presidenti i këtij shteti Jair Bolsonaro i ka bërë thirrje popullit që “të vazhdojë jetën”.

Edhe disa shtete Evropiane kanë raportuar rritje të rasteve. Gjermania ka regjistruar më shumë se 1,000 të infektuar gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa rastet në Greqi kanë tejkaluar 5,000.