Botë

Brenga për sigurinë e 50 milionë maskave të blera nga qeveria e Britanisë

Pesëdhjetë milionë maska të blera nga qeveria britanike në prill nuk do të përdoren nëpër spitale publike, për shkak të dyshimeve se nuk janë të sigurta.

Qeveria tani thotë se maskat, të cilat lidhen rreth veshëve e jo rreth kokës, mund të mos mbyllin fytyrën aq sa duhet, shkruan BBC.

Këto maska ishin blerë për punonjësit mjekësorë nga kompania Ayanda Capital me një kontratë prej 252 miliardë sterlina.

Tani doli se personi i cili fillimisht kishte biseduar me qeverinë për këtë marrëveshje kishte qenë një këshilltar i qeverisë për tregti i cili gjithashtu këshillon bordin e Ayanda-s, transmeton KOHA.

Duke i bërë thirrje Zyrës Kombëtare të Auditimit për “keqmenaxhimin e qeverisë në blerjen e pajisjeve mbrojtëse mjekësore”, deputetja e partisë opozitare Laburiste Rachel Reeves tha se “Skandali i fundit i pajisjeve mbrojtëse shëndetësore nuk mund të shpërfillet”.

Në javët e para të pandemisë sistemi shëndetësor i Britanisë kishte mungesë të madhe të pajisjeve personale për mbrojtje të punonjësve mjekësorë.

Qeveria thotë se ishte përpjekur të gjejë furnizues në mënyrë të shpejtë për shkak mungesës në nivel global.