Botë

Rifillon procesi gjyqësor për korrupsion kundër Netanyahut

Descriptive Text

Ka rinisur të dielën procesi gjyqësor për korrupsion kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahun që ka kohë që përballet me pakënaqësi në ngritje për shkak të mënyrës së menaxhimit të krizës së koronavirusit.

Netanjahu akuzohet për mashtrim, shkelje të besimit dhe pranim të mitos në një seri skandalesh në të cilat dyshohet se kishte pranuar dhurata nga miqtë miliarderë dhe u kishte krijuar favore magnatëve të mediave për ta mbuluar pozitivisht atë dhe familjen e tij. Netanjahu i hedh poshtë akuzat, duke vlerësuar se akuzat janë orkestruar si gjueti shtrigash nga njerëz brenda sistemit të drejtësisë.

Procesi kishte nisur në maj. Netanjahu nuk është paraqitur të dielën në bankën e të akuzuarve. Seanca pa të është mbajtur në një gjykatë të Jerusalemit dhe është diskutuar kryesisht për kohëzgjatjen e procesit gjyqësor.

Sipas mediave izraelite, gjykata ka vendosur që paraqitja e dëshmisë të fillojë në janar dhe se do të dëshmohet tri herë në javë. Pritet që Netanjahu të paraqitet në secilën seancë.