Botë

Varësia nga luftëtarët mercenarë

Descriptive Text

Muhammadi ishte shtatëmbëdhjetë vjeç kur nisi lufta në vendlindjen e tij, Siri. Ai po bëhej gati që të regjistrohej në studime të larta për t’u bërë inxhinier në qytetin e Homsit. Adnani, njëherësh, ishte tridhjetë vjeç atëherë dhe po punonte si tavanxhi në Homs. Porsa ishte bërë për herë të tretë baba.

Muhammadi dhe Adnani luftuan në anë të ndryshme në luftën civile në Siri. Muhammadi ishte pjesë e ushtrisë së diktatorit Bashar al-Assad dhe ishte i etur që të kthehej stabiliteti në vend, përderisa Adnani iu bashkua radhëve të kryengritësve me bindjen se revolucioni do të triumfonte. Të dytë ëndërronin një Siri të bashkuar e paqësore. Tani, edhe nëntë vjet pas atyre kohëve, ata po luftojnë njëri-tjetrin në palë të ndryshme – por jo në Siri. Ata po luftojnë nja dy mijë kilometra larg atdheut. Në Libi.

Shqetësimi i njëjtë i armiqve

Në vendin e Afrikës Veriore, kryeministri Fayez Sarraj po përballet me zotin e luftës, Khalifa Haftar, për majën e pushtetit në vend. Sarraj përkrahet fuqishëm nga Turqia, përderisa kundërshtari i tij po mbështetet nga Rusia. Adnani po fiton para si mercenar në rrjetin militant të Sarrajt, përderisa Muhammadi është bërë pjesë e Ushtrisë Kombëtare Libiane të Haftarit. Dhe të dytë po ia shtrojnë vetes këtë pyetje: Si erdhi puna deri këtu?

Historia e Muhammadit dhe Adnanit, dy burrave nga Homsi, të cilët po e luftojnë njëri-tjetrin në shkretëtirën e Afrikës Veriore, ilustron më së miri zhvillimin tragjik të konfliktit në Siri. Por është edhe leksion në luftën e ditëve moderne.

Përherë e më shumë qeveritë të përfshira në konflikte ushtarake nuk po iu kërkojnë bashkatdhetarëve që të mobilizohen për luftë, por po e mbështesin fuqinë e tyre te luftëtarët e huaj, të cilët i paguajnë si mercenarë.

Shtetet si Emiratet e Bashkuara Arabe, Rusia dhe Irani po injorojnë kufijtë dhe sovranitetin e vendeve të tjera, duke dërguar armatim të paguar nga vendet e huaja, sepse nuk u pëlqejnë regjimet në krye të vendit të caktuar, sepse ua duan burimet natyrore – ose për shkak se mercenarët që u përkasin armiqve të tyre luftojnë aty. Është një tjetër shembull i shteteve që mundohen të mbushin boshllëkun e lënë nga tërheqja e përshkallëzuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga roli i liderit në botë.

Angazhimi i mercenarëve është një mundësi për të bërë luftë me çmim të ulët. Aktorët rajonalë mund të maten në luftë me pak rrezik dhe me kosto relativisht të ulët. Liderët mund të përfshihen në konflikte pa pasur nevojë të japin llogari për humbjen eventuale të shtetasve të tyre. Edhe vetë luftëtarët nuk kërkojnë kushedi çfarë mbrojtje për shkak se janë të varur prej pagesave. Mercenarët po luftojnë në disa konflikte, përfshirë në Siri, Jemen dhe Libi. Njerëzit si Muhammadi dhe Adnani janë kthyer në vegla të politikës globale.

Ofertë joshëse

Adnani ishte i bindur se Assadi do të mund të rrëzohej kur i ishte bashkuar “Divizionit Hamza”, pjesë e Ushtrisë së Lirë Siriane, pas shpërthimit të luftës. Kishte shënuar edhe sukses personal në betejë, duke u ngritur në gradën e komandantit të divizionit. Por Ushtria e Lirë Siriane po humbte terren edhe me ndihmën e Rusisë dhe Iranit, regjimi i Assadit ia doli t’i zmbrapste kryengritësit në krahinën veriperëndimore të Idlibit, ku ia dolën të mbijetonin vetëm pas ndihmës turke.

Viteve të fundit Adnani pothuajse nuk e ka luftuar fare regjimin e Assadit, duke e ndihmuar ushtrinë e presidentit Recep Tayyip Erdogan të Turqisë që të largonte militantët kurdë nga rajoni kufitar. “Ne jemi të varur prej Erdoganit”, ka thënë Adnani gjatë një interviste telefonike. “Dhe ne duhet të luftojmë kudo që dëshiron”.