Botë

Pentagoni nxit rishikimin e simboleve të Konfederatës

Drejtuesit e lartë të Pentagonit i thanë Kongresit të enjten se ushtrisë amerikane i duhej të shqyrtonte me shumë vëmendje simbolet e Konfederatës në bazat ushtarake dhe shefi Shtatmadhorisë gjenerali Mark Milley tha se kishte rekomanduar ngritjen e një komisioni që do të trajtonte këtë çështje.

"Konfederata, Lufta Civile Amerikane ishte një akt rebelimi, ishte një veprim tradhtie në atë kohë, kundër bashkimit, kundër yjeve dhe shiritave (të flamurit), kundër Kushtetutës amerikane dhe ata oficerë i kthyen shpinën betimit që kishin bërë. Tashmë disa kanë një këndvështrim të ndryshëm mbi këtë. Disa mendojnë se është trashëgimi, të tjerë mendojnë se është urrejtje. Mënyra se si duhet ta bëjmë ka po rëndësi sa fakti që duhet ta bëjmë. Pra kemi nevojë për një shqyrtim të rreptë të bazave, statujave, emrave dhe të gjitha gjërave që lidhen me këtë çështje", tha gjenerali.

Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper tha se po zhvillohej një proces rishikimi lidhur me flamujt e Konfederatës në baza.

"Dua t'u garantoj se kemi një qasje që është e qëndrueshme e që mund t'i rezistojë sfidave ligjore, por që na bashkon dhe ç’ka është më e rëndësishmja, ndihmon në ndërtimin e kohezionit dhe gatishmërisë"

Komentet e gjeneralit Milley në veçanti, mund ta vendosin atë në një kurs përplasjeje me Presidentin Donald Trump, i cili është shprehu pro mbajtjes së emrave të 10 bazave ushtarake nga Virxhinia në Teksas, të emërtuara për nder të gjeneralëve të Konfederatës.

"Dyzet e tre për qind e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara vijnë nga komunitetet pakicë. Dhe për ata ushtarë të rinj që shkojnë në një bazë së cilës i është vënë emri i një gjenerali të Konfederatës, do t'u kujtohet se ai gjeneral luftoi për një institucion skllavërie që mund të ketë skllavëruar një prej të paraardhësve të tij".

Bazat ushtarake amerikane të cilave u janë vendosur emrat e udhëheqësve ushtarakë të Konfederatës ndodhen të gjitha në ato që dikur ishin shtete të ish-konfederatës. Shumë prej atyre shteteve ndihmuan zotin Trump të zgjidhet president në vitin 2016 dhe ai po kërkon të garantojë sërish mbështetjen e tyre për zgjedhjet e 3 nëntorit./VoA