Botë

Ministrat francezë nën hetime rreth menaxhimit të pandemisë

Descriptive Text

Një Gjykatë Speciale në Francë të premten ka urdhëruar fillimin e hetimeve ndaj tre ministrave apo ish-ministrave, rreth mënyrës se si ata kanë menaxhuar gjatë pandemisë së koronavirusit.

Pacientë me COVID-19, mjekë, punonjës të burgut e policë në Francë kanë ngritur gjithsej 90 padi në Gjykatën e Drejtësisë së Republikës, duke u ankuar ndaj reagimit të këtyre ministrave gjatë muajve të kaluar, në rend të parë shkaku i mungesës së maskave dhe pajisjeve tjera, teksa virusi po përhapej nëpër Evropë.

Kjo gjykatë, që i trajton rastet ndaj zyrtarëve të lartë, ka bërë të ditur përmes një deklarate të premten se ka hedhur poshtë 44 prej 90 ankesave, derisa është duke i shqyrtuar tjerat, shkruan AP.

Në nëntë ankesa, ajo ka vlerësuar se ka elemente për t’i hetuar ish-kryeministrin, Edouard Philippe, që dha dorëheqje disa orë para njoftimit të gjykatës, ashtu si edhe ministrin e Shëndetësisë Olivier Veran.

Ata akuzohen se “dështuan ta luftojnë një fatkeqësi”, teksa mund të përballen me dy vjet burg.