Seancat parlamentare në Izrael, të parapara të mbahen të enjten, janë pezulluar, pasi një nga deputetët ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Po ashtu, edhe disa shkolla janë mbyllur nga frika e një vale tjetër të virusit, raporton agjencia Reuters.
Pasi ka vepruar në mënyrë agresive ndaj pandemisë në mars, Izraeli ka filluar të zbusë masat në javët e fundit. Por, zyrtarët kanë paralajmëruar se mosrespektimi i rregullave nga qytetarët mund të çojë te rritja e numrit të rasteve.
Knesseti me 120 ulëse ka njoftuar se i ka kërkuar gjithë stafit jo-esencial që të qëndrojë në shtëpi dhe gjitha mbledhjet e komiteteve të parapara për të enjten janë pezulluar, ndërsa po bëhen hetimet se si deputeti Sami Abou Shahadeh është infektuar me koronavirusin e ri.
“I bëj apel gjithë atyre që kanë qenë në kontakt me mua të vetëizolohen dhe të testohen. Virusi është ende në mesin tonë dhe rikthimi në të ashtuquajturën rutinë e ndihmon përhapjen e virusit me një shpejtësi dhe përmasë më të madhe”, ka shkruar Abou Shahadeh në “Twitter”.
Shkollat në Izrael janë rihapur muajin e kaluar, por shqetësimet janë rritur se disa fëmijë po infektojnë tjerët përkundër masave të mara. Në mediumet izraelite është raportuar të enjten se 42 shkolla janë mbyllur shkaku i rasteve të reja
Nga Ministria e Arsimit nuk është dhënë një shifër e saktë.
“Çdo institucion edukativ ku ka sëmundje do të mbyllet”, ka thënë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, duke shtuar se stafi i shkollave do të vazhdojë të shikojë mënyra për të mbrojtur dhe të distancojë nxënësit nga njëri-tjetri.
Izraeli, që ka popullatë rreth 9 milionë, ka raportuar 17.343 raste dhe 290 të vdekur nga virusi. Më tepër se 593 mijë janë testuar për virusin.