Botë

Cisterna futet në mes të protestuesve në Minneapolis

Descriptive Text

Shoferi i një cisterne ka vozitur në mes të mijëra protestuesve që marshonin në autostradën e Minneapolisit për të protestuar për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd të dielën. Protestuesit e kanë tërhequr shoferin më pas nga cisterna dhe e kanë rrahur, njofton agjencia Reuters.

Nuk është raportuar për ndonjë të lënduar në mesin e protestuesve, ndërsa cisterna ishte vërsulur drejt tyre në autostradën I-35 në Minneapolis, duke i rënë borisë.

Policia shpejt erdhi në vendin e ngjarjes dhe e arrestoi shoferin, që u dërgua në spitalin lokal me lëndime jo të rrezikshme për jetë, ka njoftuar Departamenti i Sigurisë Publike në Minnesota (MNDPS).
Në video të incidentit shihen protestuesit duke e rrethuar cisternën para se ajo të ndalej.

“Incidenti ka nënvizuar situatën e paqëndrueshme që e kemi momentalisht”, ka thënë guvernatori i Minnesotas, Tim Walz, në konferencë për media.

Ishte incidenti i dytë rresht ku një veturë është vërsulur në drejtim të protestuesve. Një veturë e policisë së New York Cityt ishte xhiruar të shtunën duke shkuar në drejtim të protestuesve të cilët u kundërpërgjigjën duke gjuajtur gjësende.

Në videon në Minneapolis shihet se cisterna kishte llogon e “Kenan Advantage Group”, një kompani transporti me seli në Ohio.

Kompania në një komunikatë ka thënë se është informuar për incidentin ku është përfshirë një kontraktues i pavarur i saj dhe se do të bashkëpunojë me autoritetet.