Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka lajmëruar, që po i jep fund marrëdhënies së këtij shteti me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka shkruar BBC.
Presidenti amerikan e ka akuzuar OBSH-në se nuk e ka mbajtur Kinën përgjegjëse për pandeminë e koronavirusit.
“Kina ka kontroll të plotë ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, ka thënë presidenti i SHBA-së gjersa po lajmëronte masat për ta dënuar Pekinin.
Washingtoni do t’i drejtojë fondet drejtë organizatave tjera, ka shtuar ai.
OBSH-ja, agjenci e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila i ndihmon shteteve të promovojnë përkujdesjen shëndetësore dhe të zgjidhë problemet e shpërthimeve të sëmundjeve, ende nuk ka komentuar mbi vendimin e Trumpit, transmeton KOHA.
Të shtunën, Bashkimi Evropian i bëri thirrje administratës së Trumpit që të rishqyrtojë vendimin, duke paralajmëruar se kjo do të pengojë përpjekjet botërore për të ndalur pandeminë e koronavirusit.
Më shumë se 102000 njerëz në SHBA kanë humbur jetën për shkak të COVID-19.