Testimi klinik i ilaçit të malaries, hidroklorikinë, është pezulluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë pas brengave për siguri, ka njoftuar udhëheqësi i organizatës.
“Grupi ekzekutiv ka implementuar pushimin e përkohshëm të njërës pjesë të testimeve të hidroklorikinës, derisa të shikohen të dhënat e sigurisë nga bordi monitorues. Pjesa tjetër e testimit po vazhdon”, ka thënë drejtori gjeneral i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, raporton “Independent”.
Ilaçi vazhdimisht është përmendur nga liderë botërorë, përfshirë Jair Bolsonaron e Brazilit dhe presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cilithotë se e ka marrë ilaçin si masë parandaluese për koronavirus.
Masa e përkohshme vjen pasi një studium i botuar në revistën mjekësore The Lancet ka thënë që përdorimi i ilaçit rrit rrezikun e vdekjes për 34 për qind dhe se rreziku për aritmi serioze të zemrës rritet për 137 për qind.
“Analiza jonë në shkallë të gjerë ndërkombëtare mbështet dyshimet për mungesë të përfitimit klinik nga hidroklorikina dhe tregon për dëm të mundshëm te pacientët e shtruar në spital me COVID-19’, kanë thënë autorët e studimit.
I njëjti studim ka ardhur në përfundim se pacientët që morën këtë ilaç dhe një antibiotik përballen me rrezik të shtuar prej 45 për qind të vdekjes dhe rritje prej 411 për qind të rrezikut për aritmi serioze të zemrës.
Ghebreyesus ka thënë se shqetësimet për ilaçin lidhen vetëm me përdorimin e tij për të trajtuar COVID-19 dhe se hidroklorikina dhe klorokuina pranohen si përgjithësisht të sigurta për përdorim te pacientët me sëmundje autoimune apo malarie.
Përdorimi i ilaçit nga Trump ka shkaktuar kundërthënie. Disa kanë pyetur se pse ekipi mjekësor i Shtëpisë së Bardhë ka lejuar atë të përdor ilaçin me efikasitet të dyshimtë, apo nëse ai vërtetë ka marrë ilaçin.