Botë

Qeveria gjermane përkrah Lufthansan me 9 miliardë euro për rimëkëmbje

Paketa për rimëkëmbjen e aviokompanisë gjermane Lufthansa është “një zgjidhje shumë-shumë e mirë” e cila parasheh nevojat edhe të kompanisë edhe të taksapaguesve, ka thënë ministri i Financave i Gjermanisë, Olaf Scholz.

“Përkrahja të cilën jemi duke e përgatitur është për kohë të caktuar”, tha Scholz pasi që qeveria dhe Lufthansa arritën marrëveshje për 9 miliardë euro të përkrahjes monetare, raporton Reuters.

“Kur të rimëkëmbet kjo kompani, shteti do t’i shesë aksionet dhe shpresojmë se kjo do të na ndihmojë në financimin e shumë kërkesave tjera, jo vetëm nga kjo kompani”, shtoi Scholz.

Kancelarja e Gjermanisë Anglea Merkel, u tha anëtarëve të parlamentit se qeveria gjermane nuk do të lejojë Komisionin Evropian që të privojë Lufthansan nga pikat e vlefshme të fluturimit dhe zbritjes në aeroportet e Munihut e Frankfurtit, ka raportuar gazeta Handelsblatt.

Lufthansa ka thënë se marrëveshja do të përfshijë edhe dy ulëse në bordin e saj që do të merren nga qeveria, por se të drejtat e votimit do të pranohen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, si për shembull për mbrojtën e firmës nga shitja, transmeton KOHA.