Prokurorët rusë i kanë kërkuar një gjykate të hënën që të dënojë ish-marinsin amerikan Paul Whelan me 18 vjet burgim, në burg me siguri maksimale, ka njoftuar avokati i tij, raporton Reuters. Ai po akuzohet për spiunim për Shtetet e Bashkuara.
Shtetasi amerikan, që mban edhe pasaportë britanike, kanadeze e irlandeze, ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2018. Ai është deklaruar i pafajshëm për akuza, ndërsa pretendon të jetë në kurth.
Gjykimi i tij, që filloi më 23 mars, ka qenë i mbyllur për publikun, pasi është thënë se përmbajtja e gjykimit ka informacione të klasifikuara.
Gjykata do të japë vendimin më 15 qershor, ka thënë avokati Vladimir Zherebenkov pas seancës të mbajtur të hënën.
Autoritetet amerikane kanë thënë se akuzat ndaj Whelan nuk qëndrojnë dhe kanë bërë thirrje që Rusia të lirojë atë. Autoritetet e SHBA-së e kanë vlerësuar se rasti është pengesë e rëndësishme në përmirësimin e raporteve në mes të dy vendeve.
Whelan në seanca ka thënë se është keqtrajtuar nga rojet e burgut dhe se nuk ka pasur kujdesin e duhur mjekësor. Por autoritetet e Rusisë kanë thënë se ai ka shpikur probleme shëndetësore për të tërhequr vëmendjen nga rasti i tij.