Botë

Rasti i parë i koronavirusit në Francë u shfaq në dhjetor

Një pacient I cili u diagnostikua me pneumoni afër Parisit më 27 dhjetor në fakt e ka pasur koronavirusin, ka thënë mjeku i tij.

Kjo do të thotë që virusi ka arritur në Evropë një muaj më parë se që mendohej.

Dr Yves Cohen i tha mediave franceze që një mostër e marrë nga pacienti në atë kohë ishte testuar para pak kohe, dhe kishte dalë pozitiv.

Pacienti i cili tashmë është shëruar në tërësi, tha që nuk e dinte ku e ka marrë virusin pasi që nuk kishte udhëtuar në rajonet e infektuara.

Njohuria se kush ishte rasti i parë është kyçe në të kuptuarit se si u shpërnda virusi, transmeton KOHA.

Dr Cohen tha se dy fëmijët e pacientit ishin sëmurë po ashtu por bashkëshortja nuk kishte pasur kurrfarë simptome. Por Dr Cohen tregoi se gruaja e pacientit po punonte në një shitore afër aeroportit Charles de Gaulle dhe mund të ketë pasur kontakt me njerëzit që posa kishin arritur nga Kina.

Bashkëshortja e pacientit tha se “shpesh blerësit do të vinin drejtë nga aeroporti, ende duke i mbajtur valixhet e tyre”.

“Jemi duke u pyetur nëse ajo ishte bartëse e virusit por pa simptome”, tha Dr Cohen. Ai bëri thirrje që kjo gjë të hetohet më tej.

Deri në këtë moment, tre rastet e para të koronavirusit u raportuan më 24 janar.

Nga këta tre persona, dy kishin qenë në Wuhan, ndërsa i treti ishte anëtar i familjes i njërit prej tyre.

Ky rezultat pozitiv i testit sugjeron që virusi ka qenë në Francë shumë më herët se që është menduar, dhe do ta ndryshon njohurinë se si është përhapur.

Transmetimi i parë në Evropë deri tani është menduar të ketë qenë një gjerman i cili u infektua nga një koleg kinez i cili vizitoi Gjermaninë në mes 19 dhe 22 janarit.

SHBA-ja gjithashtu e ndërroi kalendarin e koronavirusit. Një ekzaminim post mortem i bërë në Kalifornia zbuloi se vdekja e parë e lidhur me koronvirusin në SHBA kishte ndodhur një muaj më herët se që është menduar, raporton BBC.

Si është gjetur rasti i ri?

Dr.Cohen ka treguar se i ka ardhur ideja t’i shikoj të gjitha rastet e pacientëve me pneumoni prej 2 dhjetorit deri më 6 janar.

Ai kishte gjetur 14 pacientë të cilët kishin testuar negativë për pneumoni. Ai i ka shkrirë mostrat e tyre dhe i ka ritestuar për shenja të koronavirusit.

Nga 14 mostrat, një ka rezultuar pozitiv për koronavirus. Ai shtoi se edhe skanimi i gjoksit të pacientit, kishte simptoma të koronavirusit.

Dr.Cohen e ka lajmëruar Agjencinë Kombëtare të shëndetit, dhe u ka bërë thirrje virologëve të tjerë të ritestojnë mostrat në spitale për koronavirus.

Një raport i plotë pritet këtë javë, dhe do të publikohet nga revista ndërkombëtare e agjentëve antimikrobikë.