Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë të shtunën se po monitoron raportimet se disa pacientë me koronavirus kanë rezultuar sërish pozitivë, edhe pse ishin liruar nga mbikëqyrja e mjekëve sepse kishin dalë paraprakisht negativë në teste.
Zyrtarë të Koresë Jugore kanë raportuar të premten se 91 pacientë që ishin kuruar kanë rezultuar sërish pozitivë me Covid-19. Sipas tyre, virusi më shumë ka shans të jetë “riaktivizuar” sesa të jetë riinfektim.
“Jemi në dijeni të këtyre raportimeve për individët që kanë rezultuar negativë në testime dhe më pas, pas disa ditësh, sërish kanë dalë pozitivë. Jemi në kontakt të afërm me ekspertët tanë dhe po punojmë që të marrim më shumë informata për rastet. Është me rëndësi të sigurohemi se kur disa mostra mblidhen për testime për rastet e dyshimta, procedurat të ndiqen siç duhet”, thuhet në një përgjigje të OBSH-së për “Reutersin”.
Sipas udhëzimeve të OBSH-së në menaxhimin klinik, një pacient mund të lirohet nga spitali pasi dy testime rresht me rezultat negative me 24 orë dallim nga njëri prej tjetrit test.
Bazuar në studimet aktuale, duhen rreth dy javë që nga shfaqja e simptomave deri te shërimi i plotë i pacientëve, sipas agjencisë.
Deri tash në botë janë më shumë se 1.7 milionë të infektuar, ndërsa numri i të vdekurve ka kaluar 100-mijëshin.