Botë

Ministria kineze i shpall qentë kafshë shtëpiake, s’i konsideron më bagëti

Foto: Reuters / ilustrim

Kina ka hartuar udhëzime të reja për t’i riklasifikuar qentë si kafshë shtëpiake e jo bagëti, ka thënë ministria e Agrikulturës, pjesë e një përgjigjeje ndaj shpërthimit të koronavirusit që grupi “Humane Society International” e quajti një “ndërrues të lojës” në mirëqenien e kafshëve.

Ndonëse mishi i qenit mbetet delikatesë në shumë rajone, ministria e Agrikulturës tha në një njoftim të publikuar ditën e djeshme se qentë më s’do të konsiderohen bagëti. Këtë emërtim, Kina e përdor për kafshët që mund të mbahen për ushqim, qumësht, lesh, fibra dhe mjekësi, apo që shërbejnë për nevoja sportive apo ushtarake, raporton Reuters.

“Për sa u përket qenve, përgjatë progresit të civilizimit njerëzor dhe brengës publike dhe dashurisë për mbrojtjen e kafshëve, qentë janë ‘specializuar’ për t’u bërë kafshë shoqëruese, dhe ndërkombëtarisht nuk konsiderohen bagëti, e as në Kinë nuk do të konsiderohen të tillë”, tha Ministria, transmeton KOHA.

Koronavirusi i ri besohet gjerësisht se ka dalë nga lakuriqët, dhe ka mundur të kalohet tek njerëzit nga speciet e ndërmjetme në shitje nëpër markete në qytetin e Wuhanit, ku u identifikua për herë të parë patogjeni.

Kina për pasojë ndaloi rritjen, tregtimin dhe konsumimin e kafshëve të egra, dhe tërhoqi të gjitha licencat. Ajo premtoi se do ta rishikonte legjislacionin për ta bërë këtë ndalesë të përhershme.

Në këtë draft-udhëzim, i cili është lënë i hapur për konsultim publik, janë listuar 18 lloje blegtorale tradicionale – përfshirë bagëtinë, derrat, shpendët dhe devetë.

Po ashtu, në listë janë shtuar edhe 13 specie “speciale” që po ashtu mund të përjashtohen nga kufizimet e tregtimit të kafshëve të egra, duke përfshirë drerët, alpakat, fazanët, strucët dhe dhelprat.

Konsumimi i qenit është bërë vazhdimisht e më jopopullor në Kinë, ndërsa qyteti jugor Shenzhen u bë i pari që e ndaloi atë muajin e kaluar.

Megjithatë, “Humane Society International”, një grup për të drejtat e kafshëve, vlerëson se rreth 10 milionë qen në vit vriten në Kinë për mish, përshirë edhe kafshë shtëpiake të vjedhura.