Botë

Tërheqja e Sandersit i hap rrugë ballafaqimit Biden-Trump

Descriptive Text

Bernie Sanders, socialdemokrati që me agjendën e tij progresive e shtyri partinë demokrate kah e majta, i ka dhënë fund të mërkurën fushatës së tij për Shtëpinë e Bardhë, duke ia hapur rrugën ish-nënpresidentit, Joe Biden, për ballafaqimin me presidentin republikan, Donald Trump, në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Sanders, favorit i dikurshëm që premtoi revolucion politik në Shtëpinë e Bardhë, ka pranuar se shtegu i tij drejt nominimit më nuk është i mundur, pasi që pësoi një mori disfatash zgjedhore kundruall Bidenit. Mirëpo ai premtoi që të bashkëpunojë ngushtë me ish-nënpresidentin me qëllim të mposhtjes së Trumpit, raporton Reuters.

“Bashkërisht dhe duke qenë unik do të ecim përpara për ta mposhtur Donald Trumpin, presidenti më i rrezikshëm në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai, gjatë një video-adresimi para mbështetësve nga shtëpia e tij në Burlington të Vermontit, transmeton KOHA.

Senatori 78-vjeçar ka gëzuar mbështetje të madhe në fillim të garës, para se të pësonte humbje të thellë në votimet paraprake në Karolinën e Jugut gjatë shkurtit, duke i shtrënguar demokratët e moderuar që të anojnë kah Bideni.

Sandersi ka pësuar disa humbje vendimtare gjatë marsit, teksa demokratët po e kërkonin kandidatin e duhur demokrat për ta mundur Trumpin. Kjo gjë e vuri senatorin nën presion të shtuar për t’i dhënë fund fushatës së tij dhe për të ndihmuar në unifikimin e partisë.

Me largimin e Sandersit, rivalit të fundit të Bidenit, krijohet hapësira për një betejë të gjatë për Shtëpinë e Bardhë mes 77-vjeçarit Biden dhe Trumpit (73), i cili po e synon mandatin e dytë katërvjeçar në detyrë.

Bideni e lavdëroi Sandersin pas tërheqjes nga gara dhe premtoi se idetë e tija do të përfshihen në agjendën tij për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Ai për më tepër iu adresua mbështetësve të Sandersit për t’u rreshtuar prapa tij.

“Ju shoh, ju dëgjoj dhe mund ta kuptoj urgjencën e asaj që duhet të bëjmë në këtë vend”, ka thënë Biden. “Shpresoj se do të na bashkoheni. Jeni më shumë se të mirëseardhur. Jeni të nevojshëm”.

Vendimi i Sandersit u bë në kohën kur vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit, e cila ka ndryshuar agjendën e nominimit, duke e pezulluar orarin e fushatave dhe duke i lënë Sandersit fare pak mundësi për ta përçuar mesazhin e tij.

Demokratët kanë vlerësuar se vendimi i Sandersit për tërheqje do t’i ofrojë partisë më shumë kohë për t’u bashkuar, në prag të konventës së nominimit që pritet të mbahet gjatë muajit gusht. E rreth vendimit të tij, Trumpi ka reaguar menjëherë në Tëitter.

“Krejt kjo përfundoi mu ashtu siç kanë dashur demokratët, njëjtë si në fiaskon me Hillayn plakë. Njerëzit e Bernies duhet të kthehen kah Partia Republikane!”, ka shkruar Trump.

“Me pezullimin e fushatës së Bernie Sandersit, tanimë është zyrtare se establishmenti demokrat e ka kandidatin që e dëshiroi, me Joe Bidenin”, ka thënë Brad Parscale, menaxher i fushatës së Trumpit.

Shumë prej qëndrimeve politike të Sandersit janë bërë pjesë e debatit përbrenda partisë demokrate, përfshirë në këtë mes propozimin e tij për përkujdesje shëndetësore për të gjithë në vend të sistemit për sigurime private shëndetësore.