21:33

Kryeministri Boris Johnson bartet në intensivë shkaku i koronavirusit

Gjendja e kryeministrit britanik, Boris Johnson, është përkeqësuar të hënën dhe ai është vendosur në njësinë e përkujdesjes intensive, më shumë se dhjetë ditë që kur rezultoi pozitiv në testin për koronavirus. Johnson ishte shtruar në spital gjatë së dielës mbrëma dhe u është nënshtruar testeve pas shfaqjes së vazhdueshme të simptomave, dhjetë ditë pasi që rezultoi pozitiv.

“Gjatë orëve të pasdites, gjendja e kryeministrit është përkeqësuar dhe, me këshillën e ekipit të tij shëndetësor, ai është vendosur në Njësinë e Përkujdesjes Intensive të spitalit”, ka thënë një zëdhënës i zyrës së tij.

Johnson i ka kërkuar sekretarit të Jashtëm, Dominic Raab, i cili është Sekretar i parë i Shtetit, që ta zëvendësojë në detyrë aq sa është nevoja. Më 27 mars, Johnsoni u bë lideri i parë i një qeverie të rëndësishme botërore që është testuar pozitiv për COVID-19.

12:56

Boris Johnson me aparaturë oksigjeni, si paraqitet gjendja e kryeministrit britanik

Mediat britanike raportojnë se kryeministri Boris Johnson është vendosur në oksigjen pas shtrimit të tij në spital pas përshkallëzimit të simptomave të koronavirusit.

Kreu i qeverisë britanik u paraqit në spitalin e St. Thomas pranë Downing Street pasi doktorët u shqetësuan se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte përmirësuar edhe pse simptomat e para të Covid-19 iu shfaqën 10 ditë më parë.

Johnsonit iu bë një trajtim me oksigjen, duke e këshilluar të mos rrezikonte jetën e tij me oraret e stërzgjatura në punë. Sipas një anëtari të parlamentit, Johnson është shumë i prirur të imitojë heroin e tij Winston Churchill.

Downing Street insiston se Boris Johnson vijon të jetë në krye të detyrave që i janë caktuar në drejtimin e qeverisë, megjithëse ende nuk dihet se kur do të dalë nga spitali.

Ditën e premte, kryeministri Johnson postoi një video në rrjetet sociale ku shfaqej i lodhur nga sëmundja dhe tregonte se ishte ende me temperaturë të lartë.

Image