Botë

Spanjollja me koronavirus lindi fëmijë të shëndoshë, por edhe pas 10 ditëve ende nuk e ka puthur

Foto: AFP

Për dhjetë ditë pasi lindi, një nënë spanjolle nuk guxoi të prekë fëmijën e saj, pasi ishte e infektuar me koronavirus, shkruan Metro të hënën.

Tashmë janë bërë bashkë, por si ajo edhe bashkëshorti i saj, nuk e prekin fëmijën pa dorëza. Kështu do te jetë derisa të kalojë periudha e karantinimit.

“Është e vështirë”, thotë Vanessa Muro 34-vjeçare. “Ai i ngrati po e kap gishtin tim, por nuk po ndjen, pasi po e prek plastikën, jo mua. Po më ngushëllon fakti se po kalon edhe një ditë e vështirë dhe se do të vijnë ditë më të mira”.

Vanessa u përgatit për lindje me prerje cezariane më 16 mars, por gjithçka ndryshoi kur gjyshja e saj rezultoi pozitive me Covid-19. Më vonë, gjyshja vdiq.

Ajo dhe burri i saj mësuan se janë të infektuar më 12 prill. Pas kësaj, ajo u bart në spitalin e Madridit La Paz.

“Jam ndier tmerrësisht keq”, thotë ajo.

Ajo dhe burri i saj u ndien të pafuqishëm përball kësaj situate, por u desh të pajtohen.

“Ishin 90 minutat më të gjatë të jetës sime”, tha bashkëshorti Oscar Carrillo për kohën e operacionit që kaloi gruaja e tij.

Lindja shkoi mirë dhe Oliveri i vogël lindi me peshë 3.6 kg. Menjëherë u veçua nga bebet tjera dhe pse rezultoi negativ në testin e koronavirusit.

Pas 48 orëve në izolim të plotë, Muro u lirua nga spitali, por beben nuk e mori me vete.

Pas dhjetë ditëve, me maskë e me dorëza, Muro shkoi të marrë fëmijën.

“Ishte sikur linda përsëri”, tha ajo.

“Ende nuk e kam prekur beben pa dorëza. Po vdes nga dëshira ta përqafoj. Është vështirë, por do të kalojë edhe kjo”, tha burri Carrillo.

Në Spanjë, numri i të infektuarve me Covid-19, të hënën, në mëngjes ishte 131.646, ndërkohë i të vdekurve 12.641.