Botë

Çfarë mund të bëjë shkenca kundër koronavirusit? Çfarë ilaçesh mund të ndihmojnë? Përse nuk ka ende terapi?

Foto: Reuters / ilustrim

Gazetari Werner Bartnes, mjek, historian dhe filolog, i cili në gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” shkruan për tema të shëndetit, ka bërë një përmbledhje të vlefshme mbi gjasat e trajtimit të koronavirusit. Në vijim detajet më interesante të shkrimit:

1.

Lajmi më i rëndësishëm dhe ende i keq është ky: nuk ka tani për tani terapi efektive, të sigurt dhe të lejuar kundër koronavirusit. Nuk ka as injeksione kundër infektimit me virusin Sars-CoV-2 (në gjuhën popullore i njohur si koronavirus).

2.

Deri më tani mjekët nuk mund të bëjnë më shumë se sa të ofrojnë ndihmë simptomatike si ulja e temperaturës, ilaçe për zbutjen e dhimbjeve, përkrahje për frymëmarrje, furnizim me lëngje.

3.

Shkencëtarët janë duke diskutuar mbi mënyra të ndryshme të trajtimit të virusit. Por ende mungojnë hapat më të rëndësishëm që i paraprijnë nxjerrjes së një ilaçi në treg. Para se të bëhet kjo, duhet të ketë një testim në kultura të qelizave (cell culture), pastaj vjen testimi te kafshët dhe në fund verifikimi klinik te dhjetëra apo edhe më mirë te qindra pacientë.

4.

Shkencëtarët nga Göttingeni dhe nga spitali Charité i Berlinit sapo kanë publikuar një studim në revistën shkencore “Cell” mbi atë se si një medikament nga grupi i inhibitorëve të proteazës (protease inhibitors) i pengon viruset e koronës të futen në qelizë. Por kjo deri më tani nuk është dëshmuar te pacientët, por në kulturën qelizore. Kjo kulturë qelizore u infektua me viruse të pacientit të parë të zbuluar në Gjermani.

5.

Shkencëtarët kanë zbuluar se është i nevojshëm një encim qelizor – proteaza TMPRSS2 – në mënyrë që virusi të arrijë të futet në qelizën e mushkërive dhe ta shndërrojë atë në qelizë pranuese, ku ajo shumohet dhe pastaj shkakton edhe më shumë telashe. Një ilaç që i frenon këto proteaza mund të jetë një mundësi për trajtimin e virusit. “Kësisoj kemi gjetur një pikënisje për luftimin e virusit”, tha infektologu Stefan Pöhlmann. Ilaçi që së paku në laborator e ka frenuar pranimin e virusit në qelizë quhet Camostat Mesilate. Por përdorimi i këtij medikamenti ende është larg dhe nuk ka garanci që mund të jetë efektiv pas të gjitha testeve të domosdoshme.

6.

Një qasje tjetër për luftimin e epidemisë së koronës janë barërat e përdorura kundër virusit të ebolës dhe viruseve të tjera të rrezikshme, për shembull medikamenti Remdesivir. Pjesët përbërëse të tij pengojnë shumimin e pafrenueshëm të viruseve.

7.

Amerikani i parë i zbuluar si i infektuar me koronavirus është trajtuar me Remdesivir. Pacienti vuante edhe nga ndezja e mushkërive. Gjendja e tij u përmirësua dukshëm pas trajtimit me Remdesivir. Por ky është rast individual. Së fundi në Kinë dhe SHBA kanë filluar pesë studime klinike me Remdesivir. Se a do të përmbushen pritjet, do të dihet tek pas disa muajsh, shkruan mjeku Werner Bartens në “Süddeutsche Zeitung”.