Botë

Arrin në 107 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Itali

Foto: Reuters

Numri i të vdekurve nga përhapja e koronavirusit në Itali ka mbërritur të mërkurën në 107, pas 28 rasteve të evidentuara vetëm gjatë 24 orëve të fundit.

Agjencia italiane e Mbrojtjes Civile ka njoftuar se virusi po shfaqë shenja të pakta të ngadalësimit. Derisa numri i përgjithshëm i të infektuarve në mbarë vendin, që tani është vatër e virusit në Evropë, ka arritur në 3.090, raporton KTV.

Italia ka regjistruar rastet e para me koronavirus rreth dy javë më parë dhe si rrjedhojë e rritjes së shifrave, autoritetet kanë ndërmarrë të mërkurën masa drastike. Në kuadër të tyre, ministria e Arsimit ka urdhëruar mbylljen e të gjitha shkollave dhe universiteteve të vendit, nga e enjtja deri më 15 mars.

Deri më tani vetëm shkollat në zonat më të prekura nga epidemia, në veri të vendit, i ishin nënshtruar mbylljes. Ndërsa tani, pos shkollave, po shqyrtohet edhe mundësia e mbylljes së kinemave e teatrove, si dhe pezullimi i shumicës së organizimeve publike.

Koronavirusi ka vazhduar që të përhapet nëpër botë, duke infektuar më shumë se 90 mijë persona dhe shkaktuar vdekjen e mbi 3 mijë të tjerëve.