Botë

Vriten 22 ushtarë turq në Idlib, Turqia ua hap rrugën refugjatëve sirianë për në Evropë

Foto: Reuters

Së paku 22 ushtarë turq janë vrarë në një sulm ajror nga “forcat e regjimit” të Sirisë, ka thënë një guvernator provincial turk.

Edhe disa të tjerë janë plagosur rëndë në sulmin e ndodhur në Idlib, ka thënë guvernatori i provincës Hatay, Rahmi Dogan. Raportime tjera thonë se numri i të vdekurve është më i madh, raporton BBC.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka mbajtur një takim me organet larta të sigurisë pas sulmit.

Forcat siriane po tentojnë të rimarrin Idlibin nga rebelët që janë të përkrahur nga ushtarët turq, transmeton Koha.net.

Erdogani dëshiron që forcat siriane të tërhiqen nga pozicionet ku Turqia ka vendosur pika ushtarake observimi.

Turqia ka kërcënuar po ashtu se do t’i sulmojë edhe forcat qeveritare siriane nëse nuk ndalen së avancuari.

Luftimet kanë bërë që gati 1 milion sirianë të ikin nga shtëpitë e tyre që nga dhjetori. OKB-ja tha se një betejë e shkallës së gjerë për Idlibin do të mund të rezultonte në “gjakderdhje”.

Por Rusia ka refuzuar thirrjet e Këshillit të Sigurimit në OKB për një armëpushim humanitar në Sirinë veriore.

Duke iu përgjigjur një deklarate nga Belgjika dhe Rusia se vrasja e civilëve duhet të ndalojë, ambasadori rus tha se zgjidhja e vetme ishte ndjekja e, siç i quajti ai, terroristëve nga vendi.

Ministria e mbrojtjes ruse të enjten akuzoi Turqinë për shkelje të marrëveshjes për paqe në Idlib duke i mbështetur rebelët me sulme artilerie.

Një zyrtar i lartë turk i ka thënë Reutersit se vendi i tij ka vendosur që të mos i ndalojë më refugjatët sirianë që të mbërrijnë në Evropë përmes tokës a detit.

Sipas zyrtarit, i cili nuk është identifikuar nga Reutersi, policia turke, roja bregdetare dhe zyrtarë të sigurisë kufitare, janë urdhëruar që mos intervenojnë.