Njëzet për qind e borës në një ishull në Antarktidë është shkrirë për nëntë ditë Foto: Reuters

Njëzet për qind e borës në një ishull në Antarktidë është shkrirë për nëntë ditë

25 February 2020 19:30

Imazhet tronditëse satelitore, të publikuara nga NASA, kanë zbuluar se 20 për qind e masës së borës që mbulon një ishull në Antarktidë, është shkrirë brenda vetëm nëntë ditësh. Shkrirja masive ka ndodhur, si pasojë e një dallge temperaturash rekord të larta që mbërthyen zonën.

Vala e pazakontë e nxehtësisë ka dominuar prej 5 deri më 13 shkurt, ndërsa kulmin e ka arritur më 6 shkurt, ditën kur në Antarktidë termometri shënoi 18.3 gradë Celsius, raporton KTV.

Kjo temperaturë është më e nxehta e shënuar ndonjëherë në Antarktidë dhe ishte e njëjtë me atë në Los Anxhelos, atë ditë. Gjatë kësaj periudhe nëntëditore, shkrirja e ekspozoi një pjesë të madhe të tokës që ishte mbuluar nën akull teksa në sipërfaqen e saj u panë pishina të tëra me ujë.

“Nuk kam parë pellgje të shkrihen kaq shpejt në Antarktidë. Këto ngjarje mund të hasen në Alaskë apo Grenlandë, por jo në Antarktidë”, ka thënë profesori Mauri Pelto nga Kolegji Nichols në Massachusetts.

Rritja e niveleve të detit mund të prodhojë pasoja katastrofike për miliona persona që jetojnë përgjatë brigjeve detare. Antarktida përmban ujë të mjaftueshëm për të ngritur nivelet globale të detit me afro 60 metra, ka njoftuar Organizata Botërore e Meteorologjisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme