Vdiq mareshali sovjetik Dimitrij Jazov, mbështetës i gjeneralëve serbë dhe prijës i përpjekjes për puç në Moskë më 1991

Vdiq mareshali sovjetik Dimitrij Jazov, mbështetës i gjeneralëve serbë dhe prijës i përpjekjes për puç në Moskë më 1991

Enver Robelli Enver Robelli 25 February 2020 15:29

Vdiq Dimitrij Jazov, mareshali sovjetik mbështetës i gjeneralëve serbë dhe prijës i përpjekjes për puç në Moskë më 1991

Ish-ministri i mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, Dimitrij Jazov, vdiq në moshën 95-vjeçare në Moskë. Ai ishte mik i ngushtë i Velko Kadijeviqit, gjeneralit të Armatës Popullore të Jugosllavisë, i cili përkrahu projektin serbomadh në vitet 90-të. Më 1991 Jazov u përpoq ta rrëzojë nga pushteti Mihail Gorbaçovin dhe të luftojë forcat reformatore me Boris Jelcinin në krye. Në këtë aventurë Jazov u përkrah edhe nga Sllobodan Millosheviqi. Për këtë diktatori serb do të paguante më vonë një çmim.

Mediat gjermane njoftojnë se në Moskë ka vdekur në moshën 95-vjeçare gjenerali i fundit sovjetik, Dimitrij Jazov. Lajmi është bërë i ditur nga ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse. Jazov ishte ministër i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik mes viteve 1987-1991. Më 1991, Jazov si ministër i Mbrojtjes, dha urdhër për rrëzimin e liderit të fundit sovjetik Mihal Gorbaçov, pasi që nuk pajtohej me kursin e tij reformator. Kur tanket e ushtrisë sovjetike dolën në rrugët e Moskës në gusht të vitit 1991, Gorbaçov gjendej në Krime në pushime.

Pas rezistencës së popullit rus, puçistët u dorëzuan. Kryetari i atëhershëm i republikës ruse, Boris Jelcin, u ngjit mbi një tank dhe i luti ushtarët të mos bëhen “armë e verbër e vullnetit kriminal të aventurierëve”. Më 22 gusht 1991, Dimitrij Jazov u arrestua bashkë me puçistë të tjerë dhe qëndroi gati 3 vjet në burg, por më 1994 u amnistua. Bashkimi Sovjetik u shpërbë në dhjetor 1991 dhe Gorbaçovi dha dorëheqje. Pushtetin në Kremlin e mori Boris Jelcini.

Përpjekja për puç kishte, mes tjerash, dy qëllime: të largojë Mihal Gorbaçovin dhe të pengojë ardhjen në pushtet të Boris Jelcinit, i cili i përkiste krahut reformator të partisë komuniste. Grushtin e shtetit në Moskë më 1991 e përkrahën ministri jugosllav i Mbrojtjes, Velko Kadijeviq, i cili ishte vënë në shërbim të projektit serb për nënshtrimin e popujve të tjerë të Jugosllavisë, dhe Sllobodan Millosheviqi, lideri serb i asaj kohe. Krahas Millosheviqit, puçin në Moskë e përshëndetën edhe diktatorët nga Iraku dhe Libia, Sadam Huseini dhe Moamar al-Gadafi.

Në mars të vitit 1991, disa muaj para puçit në Moskë, Kadijeviq zhvilloi një vizitë sekrete në Rusi. Për këtë vizitë nuk dinte gjë kryeministri i atëhershëm jugosllav Ante Markoviq, një reformator që gëzonte përkrahjen e perëndimit. Revista beogradase “Vreme” e 6 nëntorit 2014 ka shkruar se mareshali Jazov i kishte dhënë përkrahje Kadijeviqit për puç ushtarak në Beograd, por këtë e kishte kundërshtuar Mihal Gorbaçovi.

Boris Jelcini nuk e harroi mbështetjen që Millosheviqi dhe Kadijeviqi i kishin bërë puçistëve rusë të gushtit të vitit 1991. Gjatë konflikteve në Ballkan në vitet ‘90, Jelcini formalisht e përkrahu Serbinë, por jo duke ndërmarrë veprime konfrontuese me shtetet e fuqishme evropiane dhe me SHBA-në. Kur më 24 mars 1999, NATO nisi bombardimet kundër Serbisë për shkak të krimeve të luftës në Kosovë, i vetmi akt proteste i Rusisë ishte ky: kryeministri Jevgeni Primakov, i cili po fluturonte në SHBA, i dha urdhër pilotëve të kthehen pas.

Dimitrij Jazov e ruajti miqësinë me Velko Kadijeviqin, gjeneralin serb dhe ministrin e fundit të Mbrojtjes të Jugosllavisë. Kadijeviqi deklarohej si “jugosllav”, i ati i tij ishte serb, e ëma kroate. Por në prag të shpërthimit të luftës në Jugosllavi, ai ishte në radhë të parë shërbëtor besnik i Sllobodan Millosheviqit. Para zgjedhjeve shumëpartiake në Serbi më 1990, Kadijeviqi i kërcënoi qytetarët se do të kenë pasoja po votuan për opozitën.

Pas rënies së regjimit të Millosheviqit më 5 tetor 2000, Kadijeviqi iku në Moskë, pasi nga Tribunali i Hagës mori kërkesë për të dëshmuar. Kadijeviqi ndiqej edhe nga drejtësia kroate, e cila ngriti tri aktakuza kundër tij për krime të luftës. Kërkesa kroate për ekstradim të Kadijeviqit u hodh poshtë nga pala ruse. Në Rusi ai jetoi si refugjat deri më 2008, kur me dekret të presidentit të atëhershëm Dimitrij Medvedev fitoi shtetësinë ruse. Ndonëse u pajis me pasaportë ruse, Kadijeviqi nuk u kthye kurrë në Beograd. Ai tha: “Për aq kohë sa Serbinë faktikisht e udhëheq ambasadori amerikan, nuk kam çfarë të bëjë atje”.

Në librin e tij “Kundërsulmi - pikëpamja ime për shpërbërjen e Jugosllavisë” (“Kontraudar – moj pogled na raspad Jugoslavije”) Kadijeviqi, i cili vdiq më 2014 në Moskë, akuzoi Washingtonin se ka qenë koordinatori kryesor i shpërbërjes së Jugosllavisë. Këtë libër Kadijeviqi e prezantoi në Moskë më 2007 në prani të mareshalit Dimitrij Jazov.

Nën Vladimir Putinin, mareshali Jazov u rehabilitua plotësisht. Para një viti një gjykatë e Lituanisë e dënoi Jazovin në mungesë me 10 vjet burg për shkak të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Më 13 janar 1991, forcat prosovjetike të përkrahura nga ushtria sovjetike vranë 14 dhe plagosën rreth 1000 lituanë, të cilët kundërshtonin një përpjekje për puç në Vilnius të forcave pro Moskës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Hamdi26/02/2020 13:30

Të lumtë Enver. Më pëlqen shumë kjo kurreshtja jote e gjithëmbarshme.

Shto koment

Të ngjashme