Vetura përplaset mbi një turmë në Gjermani - rreth tridhjetë të lënduar Foto: Reuters

Vetura përplaset mbi një turmë në Gjermani - rreth tridhjetë të lënduar

24 February 2020 15:58

Një shofer e ka përplasur veturën e tij mbi një turmë njerëzish, që ishin mbledhur për karnavalin në qytezën Volkmarsen në perëndim të Gjermanisë, duke i lënë tridhjetë të lënduar, përfshirë fëmijë, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë, ka bërë të ditur të hënën policia e këtij shteti.

Transmetuesi rajonal, “Hessenschau” ka thënë se policia beson që shoferi, i identifikuar si shtetas gjerman, 29-vjeçar, kishte vepruar me paramendim, ndonëse ende nuk është bërë i ditur motivi i tij, raporton "Reuters", transmeton Koha.net.

Portali gjerman HNA ka cituar dëshmitarë që kanë thënë se shoferi dukej se qëllimisht i kishte marrë në cak fëmijët dhe se e kishte ngasur veturën me një shpejtësi të madhe.

I pyetur për numrin e të lënduarve, një zëdhënës i policisë së rajonit, ka thënë: “Do të thoja rreth tridhjetë”.

Përmes llogarisë zyrtare në “Tëitter”, policia ka bërë të ditur se disa prej të lënduarve ishin në gjendje të rëndë.

“Policia supozon se është sulm i qëllimshëm, por nuk ka indikacione se ka qenë i motivuar politikisht’, ka thënë Bild.

Incidenti vjen më pak se një javë pasi që një person qëlloi për vdekje njëmbëdhjetë persona, duke vrarë më pas vetes, në një prej sulmeve më të rënda me motive raciste në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme