Botë

​Shpërbërja e Kuvendit të Maqedonisë, qindra projektligje mbetën pa epilog

Foto: REL

Shpërndarja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, la pa epilog rreth 150 propozim-ligje, marrëveshje ndërshtetërore, ndërkombëtare por edhe interpretime autentike.

Në mesin e tyre janë propozim-Ligji për lojërat e fatit, rritja e rrogave të profesorëve, masat e reja kundër ndotjes, propozim-Ligji për lobim etj.

Kjo sipas ish deputet Naser Ziberit, njohës i çështjeve juridike është rezultat i nxitjes për ta shpërndarë Kuvendin.

Për fatin e propozimeve të mbetura në procedurë, Ziberi thotë se duhet prononcohet Qeveria e ardhshme.

“Të gjitha ato propozime që kanë mbetur në procedurë parlamentare pas konstituimit të organeve të reja dhe qeverisë së re, Qeveria do të duhet të njofton organet e Kuvendit respektivisht kryetarin e Kuvendit se cilat propozime që janë në procedurë do ta vazhdojnë më tej procedimin, ndërsa për propozimet tjera për të cilët Qeveria e ardhshme konstaton se nuk paraqesin vullnetin e saj politik se si duhet rregulluar këto marrëdhënie, do t’i tërheq. Një pjesë të tyre mund t’i rregullojë dhe propozojë përsëri në Kuvend, ndërsa pjesa tjetër mund fare mos ta shoh dritën e aprovimit”, thotë Ziberi.

Fatin e njëjtë do ta kenë edhe e Marrëveshjet e pa ratifikuara. Sipas Ziberit, Qeveria e ardhshme duhet si fillim t’i përkushtohet marrëveshjeve që kanë të bëjnë me bashkëpunimin në planin ndërkombëtar.

Ndonëse pritej, në fazën e amendamenteve ngeci propozim-Ligji për lojërat e fatit. Komisioni për financa dhe buxhet u thirr dy herë, por si pasojë e mungesës së kuorumit, amendamentet nuk u shqyrtuan. Në lexim të dytë mbeti edhe propozim-Ligji për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë, ndërsa pa nevojë të miratuar ngeci propozim-Ligji për letërnjoftimet me të cilin deputetët e Lëvizjes Besa kushtëzuan votat për Ligjin e Prokurorisë Publike. Pak minuta para shpërndarjes, me kërkesë të deputetëve të shumicës u miratuan Ligji për mediat dhe ai për themelimin e Inspektoratit për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve./Alsat/