Botë

Një kthesë e papritur: Gjykata turke e shpall të pafajshëm filantropin Osman Kavalla

Descriptive Text

Osman Kavalla, biznesmen, filantrop dhe aktivist i shoqërisë civile turke është mbajtur në paraburgim nga nëntori i vitit 2017. Autokrati turk Rexhep Taip Erdoan e kishte shpallur agjent.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar që në dhjetor lirimin e Kavallës. Sot një gjykatë në Silivri afër Stambollit e shpallit të pafajshëm Kavallën dhe të akuzuarit e tjerë në të ashtuquajturin procesi i parkut Gezi. Mes "dëshmive" për fajësinë e Kavallës prokuoria kishte përmendur edhe një hartë mbi "përhapjen gjeografike të racave të bletëve" në Lindjen e Afërt.

Drejtësia turke ka marrë një vendim të befasishëm të martën duke e liruar nga burgu Osman Kavallën, njërin prej personaliteteve më të rëndësishme të shoqërisë civile turke, i njohur edhe si George Sorosi i Turqisë. Kavalla u lirua nga një gjykatë në Silivri afër Stambollit. Gjykatësit thanë se nuk gjetën dëshmi për fajësinë e Kavallës. Bashkë me të u liruan edhe 15 të akuzuar të tjerë. Kavalla mbahej në paraburgim që nga nëntori i vitit 2017. Autokrati turk Rexhep Taip Erdoan e kishte shpallur agjent Kavallën. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar që në dhjetor lirimin e Kavallës, transmeton Koha.net.

Që nga arrestimi i Kavallës shumë organizata ndërkombëtare dhe personalitete kanë protestuar dhe kërkuar lirimin e tij. Kavalla akuzohej, mes tjerash, për përkrahjen e protestave kundër prishjes së parkut Gezi në Stamboll. Projekti ishte shtyrë përpara nga vetë Erdoani. Protestat e vitit 2013 tronditën pushtetin e Erdoanit. Në aktakuzë thuhej se përmes rebelimit të dhunshëm Kavalla dhe mbështetësit e tij paskëshin planifikaur rrëzimin e qeverisë.

Aktakuza prej 657 faqeve përmbante "dëshmi"» pjesërisht absurde. Në telefonin mobil të Kavallës hetuesit gjetën fotografinë e një harte. Për prokurorin kjo është "dëshmi" e qartë se Kavalla ka synuar ndryshimin e kufijve të Turqisë dhe ka dashur të shkatërrojë unitetin e republikës. Portali hulumtues turk Odatv ka dëshmuar se kjo akuzë është qesharake. Harta e gjetur në telefonin mobil të Kavallës tregon "përhapjen gjeografike të racave të bletëve" në Lindjen e Afërt. Ajo është fotografuar nga botimi turk i një libri mbi bletët, i cili është publikuar në vitin 1988 në anglisht. Autor i kësaj vepre standarde është bletologu austriak Friedrich Ruttner.

Prokuroria turke kërkoi në fillim të këtij muaji burgim të përjetshëm për Osman Kavallën, i njohur si njëri prej intelektualëve publikë më me ndikim në Turqi. Kavalla, bir pasanikësh nga Stambolli, me vite të tëra ka qenë përkrahës dhe financues i shumë projekteve kulturore në Turqi. Disa projekte kanë synuar pajtimin e turqve me pakicat (kurdët, armenët). Kur dështoi përpjekja për puç në Turqi më 2016, Rexhep Taip Erdoani tha: tentimi për grusht shteti ishte "dhuratë nga allahu", domethënë tani Erdoani mund të qëronte hesapet me çdo kritik. Nuk vonoi shumë dhe u arrestua edhe Osman Kavalla. Jo për tentimin për puç më 2016, por për shkak se gjoja paskësh përkrahur demonstratat e vitit 2013.

Për çka ngarkohej Kavalla ishte aq absurde, saqë një deputet i partisë AKP të Erdoanit është larguar nga partia në shenjë proteste. Vendimin për dënimin e Kavallës Erdoan e kishte marrë ngaherë. Ai pas arrestimit të Kavallës tha se janë "zbuluar" aktivitetet e Kavallës dhe se pas tij qëndron "hebreu i famshëm hungarez" George Soros. "Ky është ai njeriu që i dërgon njerëzit e tij nëpër botë për t’i përçarë kombet". Pas këtij sulmi Fondacioni Soros ndërpreu punën në Turqi.

Me Fondacionin e tij Anadolu Kültür Osman Kavalla mbështet prej dekadash projekte teatri, ai është angazhaur për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Turqisë dhe pakicave, ka përkrahur një orkestër të të rinjve turq dhe armenë dhe ka kërkuar zgjidhjen e çështjes kurde. Në "kryeqytetin" e kurdëve të Turqisë, në Diyarbakir, Kavalla themeloi një qendër kulturore. Ky aristokrat dhe aktivist për të drejtat e njeriut ëndërron një Turqi të hapur ndaj botës, e cila do të ishte urë lidhëse mes kontinenteve dhe civilizimeve.

Kavalla, i lindur më 1957 në Paris, rrjedh nga një familje e pasur dhe me ndikim në Turqi. Babai i tij ishte tregtar duhani dhe themeloi një ndërmarrje të përzier. Kur ai vdiq më 1982, biznesin nisi ta drejtojë i biri i tij. Më parë Osman Kavalla kishte ndjekur në Stamboll të famshmin Robert College (një shkollë në gjuhën angleze) dhe kishte studiuar ekonominë në University of Manchester. Në një letër të hapur nga burgu ai shkroi: "Muaj të tërë të jetës sime po kalojnë. Dua që sa më shpejt që të jetë e mundur të fitoj lirinë time dhe të bashkohem me familjen dhe miqtë". Nga sot Osman Kavalla është i lirë, por në një Turqi gjithnjë e më represive.